Arrestohet në Kosovë bashkëshorti i ish-ministres Besa Shahini

Policia e Kosovës ka arrestuar sot kryetarin e Partisë Social-Demokrate të Kosovës Dardan Molliqaj, dhe 7 aktivistë të tjerë të kësaj force politike.

Molliqaj, bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, ka qenë dikur pjesë e “Lëvizjes Vetëvendosje” nga e cila u largua duke themeluar PSD-në.

Sipas mediave në Kosovë, arrestimet kanë ardhur pas një proteste të zhvilluar para Ministrisë së Drejtësisë ku aktivistë të PSD shkruan me spraj mbi makina fjalën “zhvatës”.

Reagimi i plotë i PSD:

Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së.

Policia, nën urdhrat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton atë. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit.

Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë.


Shtuar 16.07.2021 14:18