Në Dubai është arrestuar ish-këshilltari i Olta Xhaçkës, Amant Josifi, raporton BalkanWeb.
Me 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar.
Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Por për të arritur deri te emri i Amant Josifit dhe lidhjeve të tij me një nga skemat më të mëdha të mashtrimit telefonik, të njohur si Call Center, policisë spanjolle iu desh të hulumtonte miliona emaile të përdorura nga kompanitë në zotërim të tij. Sipas dokumenteve gjyqësore, pas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni, Amant Josifi.
“Nga procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, janë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve”, thuhej në dosjen spanjolle.
Për të zbuluar lidhjet midis Call Center-ave në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të “Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar 3 milionë emaile të dërguara nëpërmjet dhjetëra plaformash të ndryshme, ku evidentohet ndërlidhja e platformave ‘call center’ me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale.