Arrestohet dispeçeri OSHEE, nuk stakoi energjinë në nënstacionin ku po punonte elektriçisti që humbi jetën

Një dispeçer i OSHEE-së është arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ai pasi dyshohet se nuk ka marrë masa për stakimin e energjisë elektrike në nënstacionin e zonës ku po punonte një 61-vjeçar, i cili për pasojë ka humbur jetën ditën e djeshme.

Njoftimi:

Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, për shtetasin A. T., 61 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i cili humbi jetën sepse ra në kontakt me rrymën elektrike, gjatë punës për riparimin e një defekti në një kabinë në fshatin Muçan, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, pas hetimeve të thelluara, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, për zbardhjen e këtij rasti:

-arrestuan shtetasin A. N., 58 vjeç, banues në Cërrik, me detyrë dispeçer i OSHEE-së, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka marrë masa për stakimin e energjisë elektrike në nënstacionin e zonës ku po punonte shtetasi A. T.;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 31 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i ekipit të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk ka informuar për ndërhyrjen e shtetasit A. T., në kabinë, ndonëse vetë ka qenë informuar për këtë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 12.11.2023 11:20

Tags: ,