Arrestohet 44-vjecari shqiptar në Itali, akuzohet si shkaktari i aksidentit që i mori jetën Aldo Gjokës (EMRI)

Policia italiane ka arrestuar 44-vjeçarin shqiptar Rezeart turku, i cili akuzohet si shkaktari i aksidentit ku humbi jetën në 7 shtator, bashkëkombasi i tij 29-vjeçari Aldo Gjoka, banues në Leçe.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane Turku banonte prej disa vitesh në qytetin e Otrantos.

Shqiptari u arrestua për vrasje në rrugë për shkak të rrethanave rënduese ndaj tij. Nga hetimet ka rezultuar se ai ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.

44-vjeçari ishte në drejtimin e një ‘Jaguar’-i, ndërsa Gjoka po lëvizte me një motor ‘Yamaha’. 44-vjeçari Turku mbrohet nga avokati Nicola Di Bello dhe pritet të japë versionin e tij të ngjarjes. Por për momentin ai ndodhet në spital dhe nuk është në gjendje të shkojë në gjykatë. Turku ka pësuar fraktura në gjoks dhe brinjë.

Sa i përket viktimës Aldo Gjoka, i cili njihej nga të gjithë si ‘Aldino’, u përcoll mëngjesin e 10 shtatorit në banesën e fundit. Siç shkruajnë mediat italiane, shumica e të pranishmëve në funeral kanë qenë të rinj, të apasionuar pas motorëve si i riu.

Si pasojë e përplasjes që ndodhi në Torre Speçhia, motori i Gjokës përfundoi pas një muri të një banese. Mjeti i tij mori flakë dhe dokumentet e tij u shkatërruan, prandaj u desh pak kohë që të verifikohej identiteti i tij. Aldo do të mbushte për pak ditë 29 vjeç.


Shtuar 12.09.2023 20:26