Arrestohen katër persona në Danimarkë dhe Holandë për përgatitjen e një sulmi terrorist

Tre njerëz u arrestuan në Danimarkë këtë të enjte dhe një tjetër në Holandë nën dyshimin se po përgatitnin një sulm terrorist.

Policia nuk tregoi se cilat ishin motivet e të dyshuarve, apo nëse ato ndërlidheshin me militantët islamistë, apo grupet e ekstremit të djathtë.

Shërbimi danez i Inteligjencës dhe Sigurisë, PET, tha në gusht se kërcënimi ndaj Danimarkës ishte rritur shumë pasi aktivistët kundër islamit i kishin njollosur disa kopje të Kuranit gjatë verës.

“Hetimi ka zbuluar se një rrjet i njerëzve po përgatiste një sulm terrorist”, tha të enjten në Kopenhagë Flemming Drejer nga PET.

Ai theksoi se arrestimet dhe bastisjet e kryera të enjten u bënë si pjesë e një hetimi intensiv që PET-i e kishte kryer në bashkëpunim me partnerët e jashtëm.

“Bastisjet policore janë duke vazhduar nëpër vend”, shtoi ai.

Dreyer tha se rrjeti kishte lidhje me krimin e organizuar në Danimarkë dhe jashtë saj, përfshirë një grup kriminal me emrin Loyal to Familia, por nuk deshi të tregojë se cilat ishin motivet.

“Kjo është tejet serioze”, tha kryeministri i Danimarkës, Mette Frederiksen për agjencinë e lajmeve Ritzau, në një takim me liderët e BE-së në Bruksel.

“Që prej disa vitesh, ne kemi parë se ka njerëz që jetojnë në Danimarkë të cilët nuk na e duan të mirën. Ata janë kundër lirisë sonë dhe kundër shoqërisë daneze”, tha Frederiksen.

PET-i ka paralajmëruar për sulme të mundshme për më shumë se një dekadë. Policia tha se nuk e ka ndryshuar shkallën e rrezikut nga terrorizmi, duke e mbajtur në 4 në një shkallë nga 1-5.

Të arrestuarit në Danimarkë do të përballen me aktakuzë për terrorizëm, sipas Kodit Penal, dhe do të dalin para gjykatësit, tha policia.


Shtuar 14.12.2023 17:25