Ish-përgjegjësi i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, dhe sipërmarrësi Kastriot Hasko u vunë në pranga mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, pas një urdhërarresti të lëshuar nga Prokuroria e Fierit. Dyshimet lidhen me një skemë të gjerë falsifikimi të dokumenteve të pronësisë në zonën bregdetare të Semanit.
Informacionet paraprake tregojnë se të dy personat ishin objekt i një hetimi disamujor nga ana e prokurorisë fierake. Ndërkohë, Policia e Shtetit ekzekutoi masat e sigurisë në kryeqytet, duke vijuar me veprimet e mëtejshme procedurale.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve të afërta me dosjen, e gjithë çështja doli në dritë në muajt e fundit të vitit 2024, vetëm dy muaj pasi drejtoresha e re e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kishte marrë frenat e institucionit. Parregullsitë u konstatuan gjatë një kontrolli rutinë administrativ.
Menjëherë pas këtij zbulimi, rasti iu referua Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Megjithatë, nuk dihet ende nëse ky institucion ka nisur një hetim penal të mirëfilltë mbi bazën e këtij kallëzimi.
Paralelisht, hetimin e mori në dorë Prokuroria e Fierit, e cila pas muajsh të tërë verifikimesh dhe analizash të provave, finalizoi urdhër-arrestet që u zbatuan mbrëmjen e djeshme. Vëmendja e hetuesve përqendrohet tek dyshimet për manipulim të akteve të zotërimit të tokave në zonën e Semanit. Grupi hetimor po punon për të plotësuar të gjithë mozaikun e provave dhe për të sqaruar përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
