Arrestohen hajdutët e skuterave në Tiranë

Dy adoleshentë kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohen se vidhnin monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.

Një person tjetër u shpall në kërkim, ndërsa për një 17-vjeçar filloi hetimi në gjendje të lirë.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Monopatina 2” u bë arrestimi i shtetasve D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi K. L., 19 vjeç, banues në Tiranë.

2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 17-vjeçarin e shpallur në kërkim, dyshohet se më datë 01.10.2023, kanë vjedhur një monopatinë në Rrugën e Kavajës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S. H. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D. Sh. dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. L., i cili shoqëronte shtetasin D. Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com 


Shtuar 3.10.2023 08:33