Arrestohen dy turistët francezë në Portin e Durrësit, do të iknin nga Shqipëria me armë e kanabis

Policia kufitare e Durrësit ka finalizuar operacionin “Exit” dhe ka vënë në pranga 2 shtetas francezë.

Nga kontrollet me përzgjedhje të kryera në kuadër të këtij operacioni, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u konstatua se në automjetin kamper, me drejtues shtetasin francez S. M. dhe ku ishte pasagjere shtetasja franceze C. M., ishte përshtatur një hapësirë, për fshehjen e një arme sportive dhe të një sasie lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, njofton policia.

Të lidhura

None found

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit nga Franca, S. M., 25 vjeç dhe C. M., 28 vjeçe, të dy banues në Francë. Gjithashtu, u sekuestruan si provë materiale, arma sportive dhe sasia e lëndës narkotike cannabis sativa.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./Albeu.com


Shtuar 3.10.2023 14:59