Katër persona janë vënë në pranga për vrasjen e Martin Çeços 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më 16 Qershor 2022.
E fundit është arrestuar Tina Pajollari, 18-vjeçarja që konsiderohet “mollë sherri” dhe xhelozie për krimin e ndodhur.
Gazetari Spartak Koka, i cili ka ndjekur që prej fillimit këtë histori, shpjegoi në emisionin Opinion në Tv Klan se autoritetet ligjzbatuese nuk kanë asnjë provë shkencore që implikon Valter Mollajn, Edlir Mollajn dhe Bledi Angjon, të tre të arrestuar që në ditët e para si të dyshuar të përfshirë për vrasjen e Martinit.
“Martini ka folur atë natë me internet dhe me Messenger me një person të caktuar. Se kush është personi që ka folur kjo nuk është zbuluar. Ajo që u publikua nga policia ditët e para pasi u gjet trupi ishte se u arrestuan 3 persona; Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo. Fshati ku jetonin këta dhe Tina Pajollari ishte 2 orë e gjysmë larg nga Kolaneci dhe u mendua se ngjarja u zbardh.
Policia dhe Prokuroria deri ditën e sotme nuk kanë asnjë provë shkencore që i lidh këta persona me krimin e kryer. As tabulatet telefonike, as kamera sigurie. Motivi dyshohet, sipas policisë dhe prokurorisë, për Tina Pajollarin. Tina Pajollari kishte dy lidhje paralele në fshat aty afër dhe Martin Çeçon kurrë nuk e ka takuar dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt as pamor me të përveç se në rrjetet sociale. Martina është martuar para 2 javësh, ne kemi marrë ditën e djeshme në intervistë dhe bashkëshortin e Tina Pajollarit i cili thotë unë jam njohur me Tinën pas krimit të Martin Çeços, kam besuar versionin e Tina Pajollarit dhe para 2 javësh jam martuar me të. Ka një betejë ligjore në Prokurori dhe në gjykatë pasi vetëm një ditë para nxjerrjes së urdhrit të arrestit nga ana e gjykatës dhe arrestimit të Tina Pajollarit, avokatët e palës mbrojtëse kanë kërkuar sigurimin e dëshmisë së Tina Pajollarit si provë në gjykatë, pasi sipas asaj që po ndodhte, Tina sa herë shkonte në polici tregonte një version se kishte marrë pjesë në krim dhe sa herë dilte nga policia tregonte një version që nuk kishte marrë pjesë në krim. Por kur shkonte herën tjetër në polici jepte dhe detaje të tjera të cilat nuk lidheshin dhe nuk përputheshin me të vërtetën”.
Gazetari Spartak Koka insiston se hetuesit duhet të zbulojnë përmes gjurmimit të IP-ve se nga cili telefon është komunikuar me Martin Çeçon nën emrin e Martina Pajollarit për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë krim.
“Unë mendoj se kjo çështje duhet marrë shtruar dhe duhet që policia, prokuroria dhe gjykata i kanë mekanizmat e nevojshme dhe duhet ta kishte zbardhur. Me cilin profil ka folur Martin Çeço? Se mund ta përdorë dikush emrin e Tina Pajollarit, por me çfarë IP është përdorur? Me Martin Çeçon me çfarë numër telefoni është folur dhe nga kush është folur? Se Tina Pajollari na nxorri dhe faktin që profilet e saj i përdorte e motra dhe ish-kunati, e cila 1 muaj pas vrasjes së Martinit u nda nga burri dhe iku te i dashuri. Po e motra e pranoi që i ka hapur profilet. Dhe Tina Pajollari kishte 9 profile Facebooku. Me cilin ka folur Martin Çeço? 6 profile Facebooku kishte Martin Çeço. 10 profile kishte ish-kunati i Tina Pajollarit. Policia dhe Prokuroria nuk duhej të nxitohej në këtë histori, do duhej t’i jepte Martin Çeços autorin e vërtetë se ndoshta kemi jashtë dhe persona të tjerë të implikuar në këtë histori”, u shpreh gazetari Spartak Koka. /tvklan.al