SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e Joana Duros, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, duke dhënë detaje sesi u kap në flagrancë duke marrë para.
Sipas SPAK, Duro ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik.
Këto para u dhanë nga shtetësja Laureta Sheto, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, e cila po ashtu është arrestuar.
Në zyrën Duros u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të shumës së parave.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e informacioneve të sigurura nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar procedimin penal 10/1 të vitit 2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.
Nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare) me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), Prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësia J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik.
Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh., me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance në datën 02.06.2023 shtetaset J. D. dhe L. Sh., për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal. Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja L. Sh.).
Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./albeu,com