Arrestimi i Fredi Belerit, ministri i jashtëm grek: Nëse nuk ka prova për vjedhje votash është skandal!

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka reaguar në lidhje me arretsimin e kandidatit të koalicionuit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Nikos Dendias shprehet se nëse nuk ka prova për akuzën e shit-blerjes së votave, atëherë arrestimi i Belerit do të ishte një skandal.

“Arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve, nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme, përbën skandal ”, nënvizoi zoti Dendias, pas mbërritjes së tij në takimin informal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian, që po zhvillohet sot.

Ndalimi i Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke. Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se “Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës”.

Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Pas ndalimit të Belerit, Ministria e Jashtme greke reagoi duke deklaruar se ka udhëzuar ambasadoren e Greqisë në Tiranë të zhvillojë një takim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.

Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë. Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore./albeu.com/


Shtuar 12.05.2023 13:08