Arrestimi i disa zyrtarëve në Tiranë, Balla: Vijon puna për ndalimin e personave të tjerë

Ministri i Brendshëm i vendit, Taulant Balla ka reaguar pas operacionit të SPAK të zhvilluar mbrëmjen e djeshme. Gjatë operacionit u lëshuan 11 urdhër-arreste.

Në një reagim zyrtar, Balla shprehet se ky operacion erdhi si rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Po ashtu ai shton se vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Reagimi i Taulant Ballës

Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.

Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.

Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.


Shtuar 21.11.2023 09:49