Arratisjet nga burgjet në Maqedonin e Veriut kthehen në rutinë, VMRO: Të arratisurit, të afërt me pushtetin

Edhe një arratisje tjetër nga Burgu i Shutkës në Shkup. Arif Alili nga Kërçova i dënuar me tre vite burg, dy ditë më parë në rrethana të panjohura është arratisur nga burgu.

Siç mëson jozyrtarisht Alsat, Alili është arratisur 5 muaj para se ta vuaj dënimin e plotë. Nga Burgu i Shutkës por edhe nga Drejtoria e Sanksioneve nuk iu përgjigjën pyetjeve të Alsat lidhur me rrethanat e arratisjes së Alilit. Nga VMRO-DPMNE, e cila denoncoi ikjen akuzojnë pushtetin duke theksuar se arratisjet nga burgjet kanë lidhje me qeverinë, apo të ikësh nga burgu duhesh të jesh i artë me pushtetin, sipas opozitës.

“Kjo nuk mund të shihet më si një rastësi, këto janë dështime sistematike, nëse jo dështime sistematike, atëherë të qëllimshme. Ky nuk është më një shtet, por një territor i mafies, në të cilin të burgosurit mund të dalin lirisht nga burgu kur të duan. Vetëm dy javë më parë, Nafi Abdiovski, i burgosur me një album të tërë fotografik me gjithë SDS-në, u largua nga Shutka, autoritetet heshtën për Sokolin e dashur. Tani po ndodh një tjetër arratisje, dhe qeveria hesht dhe fshihet sërish. Sa të burgosur të tjerë duhet të lirohen nga Shutka për të mbajtur përgjegjësi? A duhet të bjerë gjak si në Idrizovë për të reaguar?”, tha Naum Stoillkov, VMRO-DPMNE.

Ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski thotë se drejtori i Sanksioneve tashmë është shkarkuardhe se Qeveria ka vendosur që përgjegjësia të jetë personale.

“Në komentimin, sugjerimin se si duhet të jetë epilogu juridik për të gjitha këto ngjarje që na ndodhin, duhet të ketë qasje komplimentare, kjo do të thotë se si do që të jetë përgjegjësia dhe për cilin do subjekt duhet të jetë individuale, e potencuar dhe konstatuar. Në këtë drejtim ende vazhdon hetimi, ende konstatohen defektet, mangësitë të cilat ishin të lidhura me ngjarjet e fundit e unë besoj e e gjithë kjo do të ketë edhe epilog juridik”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Për më pak se një muaj kjo është arratisja e dytë nga Burgu i Shutkës, dhe e treta me arratisjen spektakolare nga Burgu u Idrizovës së tetovarit Bekim Memeti, i cili gjatë arratisjes plagosi edhe një polic. /Alsat.mk


Shtuar 30.01.2023 18:11