Të tjera detaje të reja janë zbardhur nga arratisja spektakolare e të burgosurit shqiptar, Gentian Çipi nga spitali i Serres. Policia greke ka gjetur një prej automjeteve që dyshohet se u përdor nga bashkëpunëtorët e tij. Makina ishte aksidentuar gjatë largimit dhe brenda saj u gjet një kallashnikov.
Policia greke ka siguruar një prej provave të rëndësishme në hetimin për arratisjen e 41-vjeçarit shqiptar nga Spitali i Përgjithshëm i Serres.
Të lidhura
None found
Një detaj tjetër që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve janë gjurmët e gjakut në xhamin e përparmë, çka ngre dyshimet se një prej personave që ndodheshin në makinë mund të jetë plagosur në kokë.
Brenda automjetit, policia ka gjetur një kallashnikov dhe municion. Provat e mbledhura nga makina pritet të analizohen për të identifikuar personat që kanë marrë pjesë në arratisjen e organizuar.
Ndërkohë, në një tjetër zonë, në Vrasna të bashkisë Volvi, është gjetur edhe një automjet i djegur plotësisht. Autoritetet po verifikojnë nëse edhe kjo makinë ka lidhje me arratisjen.
41-vjeçari shqiptar u arratis pasi persona të armatosur, të maskuar dhe të veshur si efektivë policie, sulmuan eskortën e burgut në ambientet e jashtme të spitalit të Serres. Ata kërcënuan me armë punonjësit e ruajtjes së jashtme, i çarmatosën dhe morën me vete të dënuarin.
Operacioni për kapjen e 41-vjeçarit dhe bashkëpunëtorëve të tij vijon.
