Republikanët në Senatin amerikan bllokuan të enjten përpjekjet e ligjvënësve demokratë për të nisur debatin mbi një masë ligjore për të luftuar terrorizmin e brendshëm, ndërsa të dy partitë po përplasen me njëra tjetrën për të gjetur mënyrën më të mirë për të kontrolluar dhunën me armë.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, miratoi masën javën e kaluar pas një sulmi masiv në fillim të këtij muaji në një dyqan ushqimesh në Bufalo të Nju Jorkut, në të cilin një adoleshent i bardhë i armatosur akuzohet se shënjestroi dhe vrau në mënyrë specifike 10 afrikano-amerikanë.
Përpjekja e demokratëve për të nisur debatin mbi masën ligjore për terrorizmin vendas, që vjen dy ditë pasi një adoleshent i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy mësuese në një shkollë fillore në Teksas, dështoi me një votim 47-47, shumë më pak se 60 përqindëshi i nevojshëm për të kapërcyer një procedure bllokuese nga republikanët.
Demokratët, të cilët kanë dështuar për vite me radhë për të kapërcyer opozitën republikane për kontrolle më të rrepta mbi shitjet e armëve dhe kontrollet e historikut të blerësve të tyre, po bëjnë një përpjekje tjetër për të bërë kompromis me republikanët për legjislacionin e kontrollit të armëve, pas vrasjes masive në Teksas të kryer nga një 18-vjeçar që kishte braktisur shkollën e mesme.
Nuk kishte asnjë tregues që senatorët republikanë ishin të gatshëm të braktisnin kundërshtimin e tyre, me shumë prej tyre që thanë se të drejtat e blerjes së armëve nga qytetarët që i binden ligjit do të cënoheshin nëse do të fillonin kontrollet e historikut të tyre.
Republikanët thonë se ligji i brendshëm për terrorizmin nuk i kushton mjaftueshëm vëmendje luftimit të veprave të kryera nga grupet e së majtës ekstreme.
Ligji kërkonte ngritjen e zyrave në FBI dhe në departamentet e Sigurisë Kombëtare dhe Drejtësisë për t’u fokusuar tek terrorizmi i brendshëm.
Mbështetësit demokratë të legjislacionit thanë se zyrat do të përgatisnin më mirë qeverinë federale për të marrë masa parandaluese kundër terrorizmit të brendshëm.
Disa republikanë thanë se qeveria tashmë ka autoritetin për të ndjekur një aktivitet të tillë, duke e bërë ligjin e ri të panevojshëm.
Sipas gazetës Politico “Problemi është se kemi një grup njerëzish që i përkufizojnë të gjithë ata me të cilët nuk pajtohen si terroristë, si ekstremistë,” tha senatori republikan Marco Rubio. “Ne kemi arritur në një pikë tani në Amerikë ku termi ‘ekstremist’ zbatohet në mënyrë shumë liberale për njerëzit. Ka një shqetësim të thellë se si do të përdoren këto entitete… Ky është shqetësimi që kanë njerëzit”.
Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer tha se për disa republikanë, “asnjë përmasë e dhunës me armë – qoftë terrorizmi në familje, të shtënat në shkolla, të shtënat në lagje apo diçka tjetër – nuk do t’i bindin kurrë të ndërmarrin ndonjë veprim”.