Armand Duka reagon pas ndeshjes me Spanjën: Dhuruam spektakël në fushë dhe tribuna

Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar për rezultatin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Spanjës dhe eliminimin e kombëtares nga Europiani.

Duka vlerësoi lojën e djemve të ekipit përballë 3 skuadrave më në zë të futbollit.

Gjithashtu, ai theksoi se Shqipëria largohet me kokën lart nga ky kompeticion, pasi dhuroi spektakël si në fushë ashtu edhe në tribuna.

“Faleminderit! Jemi jashtë Euro 2024, pas tre ndeshjesh në një grup me skuadra si Italia, Kroacia e Spanja, por duhet të jemi krenarë. Duhet të jemi krenarë që djemtë na sollën në këtë Europian, duhet të jemi krenarë për atë që dhanë në fushë, duhet të jemi krenarë që u dhamë bukuri tribunave me ngjyrat tona kuqezi, që mbushëm rrugët dhe sheshet në Gjermani duke shpërndarë shumë dashuri, përmes sportit më të bukur në botë, futbollit. Faleminderit futbollistëve, stafit teknik dhe të gjithë tifozëve për këtë Europian!”, shkruan Duka.


Shtuar 25.06.2024 09:02