Arben Imami: Rithemelimi nuk është rishpikje, partia duhet të jetë e hapur për njerëz me merita

Ish-ministri Arben Imami është një prej figurave të rikthyera që i bashkohet Kuvendit Kombëtar të PD të organizuar nga Komisioni i Rithemelimit.

Me organizimin e këtij Kuvendi Imami tha se demokracia dhe vendimmarrja në parti mund të funksionojnë. Gjithashtu u shpreh se Rithemelimi nuk është rishpikje dhe se partia duhet të jetë e hapur për njerëz me merita.

“Demokracia në parti dhe vendimmarrja në parti mund të funksionojnë.  Si problem dua të veçoj parimin e përfaqësimit. Një grusht njerëz kanë pushtuar institucionet qendrore. Duhet të synojmë përfaqësimin e qytetarëve sa më denjësisht.  Anëtarësia e partisë iu rikthye vendimmarrjes. Në referendumin e  dhjetorit kishte pjesëmarrje masive.  Partia duhet të jetë e hapur për njerëzit me merita. Sa më të rinjtë të jenë njerëzit aq më mirë.

Por të mos mbetemi me formulimet e vjetra të rinj dhe të vjetra. Ishin parulla post komuniste. Kur thoshin se Nano dhe Berisha duhet të ikin se kanë kaluar moshën, këto u plakën e mbetën Piter Pan si kryeministra dhe kryetarë partie, këta të tjerët Rama e Basha. Qëllimi ishte të eliminonin drejtuesit politikë. Është e rëndësishme mbajtja e palcës së partisë, historisë së saj. Rithemelimi nuk është rishpikje. Nuk jemi për konservatorizëm që nuk pranon asnjë ndryshim, jemi për atë modern. Ndryshim por jo aventurë! Kush e ndryshoi më shumë Shqipërinë se sa qeveria e PD-së? Vlerat demokratike nuk janë pazar.”, tha Imami./albeu.com