Nga Diana Cavalcoli “Corriere della Sera”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Rebelimi i armatosur i Yevgeny Prigozhin dhe i grupit të tij famëkeq të mercenarëve të Wagner, u ndal kur ishte shumë pranë kryeqytetit rus Moskë. Por si është e mundur që një njeri që e ndërtoi pasurinë e tij në biznesin e restoranteve, u ngjit në krye të një grupi ushtarak të aftë për të rrezikuar stabilitetin e një vendi si Rusia?
Disa të dhëna për këtë na vijnë duke analizuar karrierën e Prigozhinit, i njohur edhe sot me pseudonimin “kuzhinieri i Putinit” dhe sot milioner. Pikërisht këto ditë po flitet për pasurinë e madhe të Prigozhinit: 5 mijë kartëmonedha me vlerë rreth 4 miliardë rubla, ekuivalente me rreth 44 milionë euro, u gjetën nga forcat ruse të sigurisë në selinë e grupit Wagner në Shën Petersburg.
Në një mesazh audio të publikuar në Telegram, vetë Prigozhin konfirmoi gjetjen e tyre, duke shpjeguar se ishin para kryesisht “të destinuara për pagimin e pagave”, sepse ushtria e tij private “ka përdorur gjithmonë para në dorë për të gjitha pagesat”. Kjo do të thotë se ai ka dhe para me vlerë miliarda rubla.
Vitet si kuzhinier dhe sipërmarrës
Megjithatë, fillimet e udhëheqësit të Wagner janë shumë modeste. I lindur në të njëjtin qytet me presidentin rus Putin, në Shën Petersburg, në vitin 1961, Prigozhin është 9 vjet më i ri se sa presidenti rus. Fazat e para të jetës së tij u zhvilluan larg Kremlinit, dhe gjithmonë në kufijtë e paligjshmërisë.
Sipas portalit investigativ rus, “Meduza”, Prigozhin u arrestua në vitin 1981 dhe u dënua me 13 vjet burg për vjedhje dhe krime të tjera. Dënimi u ul në 9 vjet dhe sapo doli nga burgu Prigozhin vendosi të qëndrojë larg telasheve, duke hapur një kioskë ku shiste fast-food me ndihmën e babait të tij.
Puna i ecën mirë dhe Prigozhin dëshmon se është një investitor i aftë. Ai hap restorantin e tij të parë “Dogana e vjetër”. Më pas hap një restorant tjetër, këtë herë shumë luksoz të vendosur në një varkë mbi lumin Neva që mban emrin “Ishulli i Ri”.
Pikërisht në këto vite u njoh me Putinin, të cilit i pëlqente të çonte politikanë të kalibrit të Jaques Chirac, presidentit të Francës apo atij të SHBA-së George W. Bush. Si sipërmarrës, Prigozhin hapi më pas disa kompani të shpërndarjes së ushqimeve, duke i shërbyer ushtrisë dhe institucioneve të ndryshme shtetërore. Ai e zgjeron gamën e saj të veprimit duke qenë shumë pranë politikës ruse. Është pikërisht ai themeluesi i njërës prej qendrave më të mëdha të trollëve, që sipas SHBA-së dhe Perëndimit, ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 të fituara nga Donald Trump.
Kthesa:Nga sipërmarrësi i thjeshtë tek oligarku në krye të ushtrisë më të madhe private të Rusisë
Krijesa më e famshme e Yevgeny Prigozhin është brigada Wagner. Një milici private, e themeluar në vitin 2013 nga ish-koloneli i inteligjencës ruse Utkin, dhe më pas e blerë nga “kuzhinieri” i Putinit në vitin 2014. Sipas Prigozhin, grupi do të numëronte mbi 50.000 burra.
Por në mungesë të burimeve të palëve të treta kjo shifër është e dyshimtë. Wagner është një organizatë që nuk është institucionalisht pjesë e ushtrisë ruse, por që merr fonde të rëndësishme nga Kremlini. Gama e veprimit të saj, një organizatë mercenarësh e famshme për brutalitetin që tregon në fushën e betejës, është shtrirë me kalimin e viteve nga Lindja e Mesme në Libi, duke kaluar përmes Afrikës Sub-Sahariane ku milicia ka qenë aktive në konfliktet kryesore të brendshme që kanë ndodhur në Mali, Sudan, Burkina Faso, Mozambik dhe Sudanin e Jugut.
Minierat dhe diamantet
Prigozhin është pronar i “Meroe Gold”, një kompani sudaneze që merret me nxjerrjen e arit. Ajo u vendos nën sanksione në vitin 2020 nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, bashkë me kompani të tjera që kane lidhje me Wagner: “M-Invest Lobaye Invest Sarlu” dhe “Diamville”, që nxjerr diamante.
Siç kujton edhe britanikja “Financial Times”, “kuzhinieri” i Putinit ka qenë gjithmonë i aftë në anashkalimin e sanksioneve. Për shembull, duke dërguar ngarkesa ajrore nga Rusia në Sudan me “biskota me xhenxhefil”, kur në realitet ato ishin tonelata me shufra ari.
Roli i tij në luftë
Wagner Group zhvilloi më pas fushata ushtarake në Donbass në Ukrainën Lindore, ku në vitin 2014 u bashkua me formacionet separatiste të republikave popullore të vetëshpallura Donetsk dhe Luhansk. Me fillimin e pushtimit rus në shkallë të plotë, më 24 shkurt 2022, “kuzhinieri” i Putinit u bë një nga protagonistët e luftës.
Ndërkohë në nëntorin e vitit të kaluar Wagner Group u përfshi nga Eurochamber në listën e organizatave terroriste. Fundjavën e kaluar grupi mercenar pushtoi qytetin rus Rostov, qendra kryesore e organizimit të aksioneve ushtarake ruse kundër Kievit, duke nisur një avancim të shpejtë drejt Moskës.
Ai u ndërpre kur kolona ushtarake ndodhej vetëm 200 km larg kryeqytetit, pas një negociate të zhvilluar me ndërmjetësimin e presidentit bjellorus Lukashenko. Detajet e marrëveshjes që ndaloi përparimin e milicisë private nuk dihen. Por zërat që qarkullojnë në media flasin për dhënien e miliarda rublave përveç akuzave për rebelim të armatosur.