Apeli i Speciales në Hagë ul dënimi për 2 ish-krerët e UÇK-së

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka ulur dënimin për dy ish-krerët e Organzatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Gucati e Haradinaj do të vuajnë nga tre muaj më pak burgim. Kryetarja e trupit gjykues të Apelit tha se ndaj Gucatit e Haradinajt mbetet në fuqi edhe dënimi me gjobë prej nga 100 euro. Gjithashtu, atyre do t’u llogaritet në dënim edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Më 18 maj 2022, Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim në shkallë të parë, pasi u shpallën fajtorë për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ish-krerët e OVL-UÇK-së u gjetën fajtorë se kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, pasi ato silleshin në zyrat e kësaj organizate në vitin 2020.

Gucati e Haradinaj u arrestuan më 26 nëntor të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në paraburgim në Hagë./albeu.com/