Apeli I GJKKO lë në fuqi vendimin e dënimit për ish-kryebashkiakun socialist/ Çfarë ndodhi me apartamentin e konfiskuar

Apeli i GJKKO, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryetarin e Bashkisë Lushnje Fatos Tushe, duke e dënuar këtë fundit me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie, masë që u pezullua në dy vite shërbim prove për akuzën e fshehjes së pasurisë.

Po ashtu, Apeli la në fuqi edhe vendimin për konfiskimin e një apartamenti në Vlorë, pasuri që nuk ishte deklaruar nga Tushe.

Organi i akuzës provoi se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, nuk kishte deklaruar një apartament me sipërfaqe 82.33m2 në Lungomare të Vlorës, as shpenzimet për blerjen e kësaj prone, as punimet dhe as mobilimin e objektit.

Në shkallën e parë, çështja u shqyrtua me formën e gjykimit të shkurtuar, ku Tushe u dënua me 1.6 vite burg, dënim që zbriti në 1 vit, por gjyqtarja e çështjes vendosi pezullimin e dënimit duke e vendosur në dy vite shërbim prove.

Fatos Tushe, u arrestua në vitin 2021 me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg. Ai e përfundoi dënimin dhe u lirua nga qelia në janar të vitit 2023.


Shtuar 18.06.2025 12:43