Apartamente dhe aksione të disa shoqërive, Prokuroria e Fierit kërkon konfiskimin e pasurive të një personi të dënuar për lëndë narkotike

Prokuroria e Fierit, ka kërkuar konfiskimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme një personi me inicialet A.H, të dënuar për drogë në Itali, dhe personave të lidhur me të.

Më konkretisht, Prokuroria kërkon të konfiskohen 5 apartamente në Fier, Tiranë dhe Vlorë, 2 njësi shërbimi, mbi 16 mijë metra katrorë arë dhe kuotat e 5 shoqërive të shtetasit A.H. dhe personave të tjerë të lidhur me të, pasi rezultoi se janë krijuar si pasojë e veprimtarive të dyshuara kriminale.

Të lidhura

None found

Sipas organit të akuzës, në themel të këtij aktiviteti ekonomik qëndron një shumë prej rreth 100 milionë lekësh, e deklaruar si financim i një shoqërie, por që nuk justifikohet me burime të ligjshme.

Kjo shumë dyshohet se është përdorur për krijimin dhe zhvillimin e disa kompanive të tjera, duke ndërtuar një cikël ekonomik të bazuar mbi një burim fillestar të paligjshëm.

“Nga hetimi rezulton se ortaku i vetëm i shoqërisë “A…” sh.p.k., shtetasi A.H., ka deklaruar financimin e shoqërisë me një vlerë prej 100,072,890 Lek, e cila nuk justifikohet me burime të ligjshme financimi. Nëpërmjet kësaj shoqërie, u krijuan edhe shoqëritë e tjera të shpërndara midis anëtarëve të familjes”, thotë Prokuroria.

Hetimet tregojnë se janë kryer veprime fiktive dhe transaksione kryesisht jashtë sistemit bankar, me qëllim fshehjen e origjinës së fondeve.

Po ashtu, evidentohet se të ardhurat e krijuara më pas janë përdorur për blerje pasurish dhe riinvestime të mëtejshme.

Prokuroria ngre gjithashtu, dyshime për lidhje me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për transportim të vlerave monetare të padeklaruara nga jashtë vendit.

“Shtetasi A.H., i dënuar nga autoritetet italiane për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale, drogë”, sillte në Shqipëri vlera monetare që buronin nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Nga hetimet rezultoi se disa shoferë të punësuar në shoqëritë në zotërim të subjekteve në këtë hetim “A….” sh.p.k. dhe “A…… T….” sh.p.k, janë konstatuar duke sjellë vlera monetare të padeklaruara në kufi, në rrethana të dyshimta mbi origjinën e tyre.”, shton prokuroria.

NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISE:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimin pasuror dhe kërkon konfiskimin e 5 apartamenteve, 2 njësi shërbimi, 16.719 m2 tokë arë dhe kuotat e 5 shoqërive të shtetasit A.H. dhe personave të tjerë të lidhur me të, pasi rezultoi se janë krijuar si pasojë e veprimtarive të dyshuara kriminale.

Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.1, datë 01.07.2025, me objekt hetimi pasuritë në pronësi të shtetasve A.H, M.H, A.H, A.H dhe K.H, si dhe 5 shoqëritë tregtare në pronësi të tyre, Prokuroria pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier arriti të dokumentojë pasuri të pajustifikuara nga burimet e ligjshme.

Nga hetimi rezulton se ortaku i vetëm i shoqërisë “A…” sh.p.k., shtetasi A.H., ka deklaruar financimin e shoqërisë me një vlerë prej 100,072,890 Lek, e cila nuk justifikohet me burime të ligjshme financimi. Nëpërmjet kësaj shoqërie, u krijuan edhe shoqëritë e tjera të shpërndara midis anëtarëve të familjes.

Po ashtu rezultoi se janë kryer veprime fiktive me qëllim justifikimin e kësaj shume monetare, të cilat nuk mbështeteshin në mundësinë reale financiare për marrjen e kësaj shume nga burime të ligjshme. Përkundrazi, evidentohet se shumica e veprimeve janë kryer jashtë sistemit bankar, në “cash” dhe nëpërmjet akteve jo noteriale, me qëllim shmangien e origjinës së ligjshme të fondeve të investuara në shoqëri.

Shuma 100,072,890 Lek, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe të deklaruara, ka shërbyer si bazë për zhvillimin e aktivitetit ekonomik të shoqërive në vijim, duke u reflektuar në pasqyrat financiare si burim i ligjshëm dhe më pas duke u përdorur për investime të ndryshme, përfshirë blerjen e automjeteve dhe krijimin e të ardhurave që janë shpërndarë në formë page dhe dividendi. Më tej, këto të ardhura janë rinvestuar në pasuri të paluajtshme dhe kuota shoqërish, duke krijuar një cikël ekonomik që mbështetet në një burim fillestar të pajustifikuar.

Shtetasi A.H., i dënuar nga autoritetet italiane për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale, drogë”, sillte në Shqipëri vlera monetare që buronin nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Nga hetimet rezultoi se disa shoferë të punësuar në shoqëritë në zotërim të subjekteve në këtë hetim “A….” sh.p.k. dhe “A…… T….” sh.p.k, janë konstatuar duke sjellë vlera monetare të padeklaruara në kufi, në rrethana të dyshimta mbi origjinën e tyre.

Në përfundim të hetimit pasuror të plotë, Prokuroria Fier kërkon konfiskimin e pasurive të paluajtshme në emër të A.H. dhe M.H.

Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 135.60 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 127 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 59 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
Pasuria e llojit “njësi” me sipërfaqe 17.10 m², me vendndodhje Tiranë; dhe
Pasuria e llojit “njësi” me sipërfaqe 31 m², me vendndodhje Vlorë.
Konfiskimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A…” Sh.p.k.:

Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3949 m², me vendndodhje Fier.
Konfiskimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A I” sh.p.k.:

Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 1971 m², me vendndodhje Fier;
Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3926 m², me vendndodhje Fier;
Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 2942 m², me vendndodhje Fier; dhe
Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3931 m², me vendndodhje Fier.
Konfiskimin e pasurive të paluajtshme në emër të K.H, si më poshtë:

Pasuri e llojit “apartament”, me sipërfaqe 55 m², me vendndodhje Bashkia Fier; dhe
Pasuri e llojit “apartament” me sipërfaqe 137 m², me vendndodhje Bashkia Fier.
Konfiskimin e kuotave të shoqërive tregtare në zotërim të individëve objekt hetimi pasuror, si më poshtë:

Kuotat e shoqërisë “A….” sh.p.k;
Kuotat t shoqërisë “A… T….” sh.p.k;
Kuotat e shoqërisë “A… B…” sh.p.k;
Kuotat e shoqërisë “A…. I….” sh.p.k.; dhe
Kutoat e shoqërisë “M… T….” sh.p.k.
Prokuroria Fier shpreh angazhimin e plotë për ndjekjen me prioritet të identifikimit dhe konsifkimit të pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.


Shtuar 21.04.2026 11:19