Antentatet në Shkodër/ Ragip Gila dyshohet edhe për vrasjen e Kristjan Kolës

Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet për vrasjen e Kristjan Kolës dhe atentatin e dyfishtë në Shkodër, ku mbetën dy të vrarë dhe dy të plagosur.

Sipas A2 CNN, policia ka nisur hetimet dhe provat e mbledhura deri tani ngrenë dyshime se Ragip Gila mund të jetë ekzekutori i vrasjes së Kristjan Kolës.

Hetuesit po e lidhin këtë rast me dy atentatet e fundit, për shkak të ngjashmërive në mënyrën e veprimit: përdorimi i motorit, maskimi me skafandër dhe taktikat e ngjashme gjatë sulmeve.

Po ashtu, pritet të përfundojë një ekspertizë e dytë mbi motorin që u përdor në vrasjen e Kolës dhe që më pas u gjet i djegur.

Hetuesit synojnë gjithashtu, të përftojnë gjurmë ADN-je nga motorri dhe të krahasojnë ato me ADN-në e Ragip Gilës për të konfirmuar përfshirjen e tij.

Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, i njohur si “Vaso”, anëtar i fisit të Bajrit dhe vëllai i Denis Brajoviç (Bajri).

Kujtojmë që; nga të shtënat mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare, Meri Kaceri.

Në sulm humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (i njohur si Lushi), truproja e Erogen Brajoviç.

Autori i dyshuar i atentatit është 29-vjeçari Ragip Gila, i cili u arrestua nga policia pas ngjarjes.


Shtuar 18.09.2025 13:35