Anija e “fundit” nga Rusia me 3030 tonë grurë mbërriti në Durrës, si do diversifikohet furnizimi

Në kulmin e sanksioneve që Perëndimi ka vënë ndaj Rusisë për shkak të sulmeve të saj në Ukrainë, një anije me grurë që ishte nisur para 13 ditësh mbërriti dje në orët e para të mëngjesit në Portin e Durrësit.

Në bordin e anijes ndodhen 3030 tonë grurë rifuxho, të cilat janë në proces shkarkimi mësohet nga burimet zyrtare të portit të Durrësit. Ngarkesa nga ky vend duket se do të jetë e fundit, pasi importuesit pohuan se kanalet e tregtare të Rusisë dhe Ukrainës janë të bllokuara që kur lufta nisi.

Anija “Slavianka” që lundron në flamurin Rus, solli dje në Shqipëri një sasi gruri e cila është sa 1 për qind e importit të vitit të kaluar.

Vitin e kaluar erdhi nga Rusia 46 për qind e totalit të drithërave të importuar, ndërsa 4 për qind erdhën nga Ukraina, sipas INSTAT. Te dy vendet në konflikt janë lojtar të rëndësishëm global në eksportin e drithërave.

Si do të diversifikohen burimet e furnizimit

Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik.

Adi Haxhiymeri një nga importuesit kryesor të grurit tha se vendi nuk do të mbetet pa furnizime, por pohoi se çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Importuesit janë në fazë intensive të ndryshimit të burimeve të furnizimit.

Portet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi ishin të mbyllura edhe sot. Një terminal rus, Novorossiysk, mbetet funksional, por me rritjen e sanksioneve ndërkombëtare, ka të ngjarë që të dërgojë vetëm vëllime të kontraktuara më parë me pak shpresa për të rezervuar shitje të reja.

“Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit,” raport agjencia “Reuters” dje në mëngjes.

Ndërkohë, procesi i mbjelljeve të pranverës në Ukrainë pritet të fillojë së shpejti dhe shumë pasiguri mbeten për kapacitetin e prodhimit të vitit 2022.

Fermerët duhet të fillojnë së shpejti punën në terren dhe ka një pikëpyetje të madhe se do funksionojnë në kushtet e luftës.

Sakaq kërkesa e tregtarëve për të blerë grurin Rus ka qenë thuajse zero pas datës 24 shkurt, njoftoi Agjencia “Reuters”.

Pas forcimit të sanksioneve çmimi i grurit në bursa u rrit dje me 6.4%./Monitor


Shtuar 1.03.2022 09:02

Tags: ,