Anëtar i bandës së Aldo Bares, si u vra Besmir Hida nga Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, saga e hakmarrjeve të përgjakshme në Lushnjë

Pas 4 vitesh, policia ka zbardhur vrasjen e Besmir Hidës, i cili u ekzekutua me 1 tetor në Lushnjë . Hida u qëllua për vdekje me breshëri kallashnikovi nga një person i maskuar teksa ishte duke pirë kafe në katin e dytë të një lokali në lagjen “Gafur Muça”.

Sipas policisë, nga një hetim i gjatë, është provuar se autorë janë tre personat me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për Laert Haxhiun, Orgest Bilalin dhe Ardian Ahmetajt, ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për autorët e kësaj ngjarjeje.

Si ndodhi vrasja në Lushnjë më 1 tetor 2019

Besmir Hida, 40 vjeç u qëllua për vdekje me breshëri kallashnikovi nga një person i maskuar teksa ishte duke pirë kafe në katin e dytë të një lokali në lagjen “Gafur Muça”, më 1 tetor 2019.

Hida ishte pronar i një pike grumbullimi mjetesh të përdorura në Lushnje. Mirëpo, emri i tij nuk ishte i panjohur për policinë. Pak kohë para se ta vrisnin, ai i kishte shpëtuar një tjetër atentati me eksploziv.

Hida e kishte parkuar automjetin e tij përballë banesës, ndërkohë që shpërthimi i fuqishëm kishte ndodhur kur pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë në gjumë. Në atë kohë ai deklaroi në polici se nuk kishte probleme me asnjë.

Ndërkohë, Hida njihet po ashtu si daja i Zamir Latifit, i cili u ekzekutua rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjës. Viktimë në këtë ngjarje mbeti dhe Jurgen Hoxha.

Zamit Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të Lushnjes në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët ishin Laert Haxhia dhe Orges Bilbili.

Kush është Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, saga e hakmarrjes me grupin e Aldo Bares

Laert Haxhiu është aktualisht në Greqi, ku është arrestuar nga policia greke pasi u kap me leje qëndrim të falsifikuar. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi është dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Zamir Latifit e Jurgen Hoxha dhe u plagosjen e Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku si dhe ndaj tij gjykata ka caktuar arrest me burg për vrasjen e Hidës.

Orges Bilbili është bashkëpunëtor i ngushtë me Laert Haxhiun. Ai u arrestua gjatë periudhës së karantinës nga policia për masakrën e Lushnjës. Apeli i Gjykatës së Posaçme e ka dënuar me burg të përjeshtëm Bilbilin.

Por të rikthehemi sërish te Laert Haxhiu. Haxhiu është një ndër rivalët e Aldo Bares, që u është qepur nga pas ushtarëve dhe familjarëve të Aldo Bares. Haxhiu është i afërmi i Bledar Haxhiut, të ekzekutuar nga banda e Aldo Bares në vitin 1998.

Ai i cili thuhet se dorëzoi trupin e mikut të tij Artur Daja te banda e Aldo Bares kundrejt një marrëveshje me këtë të fundit, por që u ekzekutua në pritë prej ushtarëve të dërguar prej tij, por ku një ngjarje tjetër do të shërbente si pretekst që Laert Haxhiu të niste nga puna për eliminimin e bandës së Lushnjës.

Sipas dinamikës së ngjarjeve, hakmarrja thuhet se nis zanafillën pasi banda e Aldo Bares, dogji shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut, xhaxhait të Laert Haxhiut, por hakmarrja e bandës së Aldo Bares ndaj fisit Haxhiu nuk do të ndalej këtu.

Në janar të vitit 2005, anëtarë të kësaj bande vrasin Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit, xhaxhait të Laert Haxhiut. Do të ishte kjo vrasje, nisja e një revanshi të përgjakshëm tashmë nga Laert Haxhiu, ku në qendër të breshërive të plumbave tanimë do të ishin anëtarë të bandës së Aldo Bares. I pari që do të ekzekutohej do të ishte Gerti Lala, anëtar i bandës së Lushnjës, që mbante pseudonimin “Iriqi”, i cili u ekzekutua më 8.07.2010, ku të arrestuar në lidhje me këtë krim, ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga Gjykata e Rrethit Vlorë

Por ky do të ishte vetëm fillimi i një serie të gjatë dhe tragjike të aksioneve që Laert Haxhiu dhe grupi i tij do të ndërmerrnin ndaj anëtarëve të bandës së Aldo Bares.

Ajo që do të cilësohej si kapitulli më i përgjakshëm i gjithë kësaj dhune të pambarimtë gjaku, do të ishte “Masakra e Lushnjës”./albeu.com

 

 

 

 

 

 


Shtuar 20.07.2023 11:50