Aneksimi i 4 zonave në Ukrainë, miratohet rezoluta që e kundërshton: E paligjshme!

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (UNGA) miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të mërkurën, në të cilën thuhet se aneksimi i katër zonave të Ukrainës është i paligjshëm dhe jo i vlefshëm. Gjatë seancës speciale urgjente të asamblesë për Ukrainën, ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se votimi është i rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e Ukrainës dhe të ardhmen e Evropës, por për vetë themelet e institucionit.

“Në fund të fundit, OKB-ja u ndërtua mbi një ide: se kurrë më një vend nuk do të lejohej të merrte me forcë territorin e tjetrit”, shtoi Thomas-Greenfield.

Diplomati amerikan tha se rezoluta bën thirrje për paqe dhe de-përshkallëzim dhe e bën të qartë se ata refuzojnë tentativat për aneksime të Rusisë.

“Se ne e refuzojmë këtë fyerje ndaj integritetit territorial, ndaj sovranitetit kombëtar, ndaj paqes dhe sigurisë. Pra, le të dërgojmë një mesazh të qartë sot: Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për aneksimin e paligjshëm. Ne kurrë nuk do ta njohim atë. Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojnë marrjen me forcë të tokës së një fqinji. Ne do t’i rezistojmë. Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojë shkatërrimin e Kartës së OKB-së. Ne do ta mbrojmë atë. Mesazhi ynë sot është i zëshëm dhe i qartë: Nuk ka rëndësi nëse ju, si komb, jeni i madh apo i vogël, i pasur apo i varfër, i vjetër apo i ri. Nëse jeni një shtet anëtar i OKB-së, kufijtë tuaj janë të tutë dhe mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Ato nuk mund të rishkruhen nga askush tjetër me forcëm,” tha Thomas-Greenfield.

143 vende votuan pro rezolutës, 5 kundër dhe 35 abstenuan, duke përfshirë Kinën dhe Indinë. Vendet që votuan kundër rezolutës janë, përveç Moskës, Bjellorusia, Siria, Nikaragua dhe Koreja e Veriut.