Analiza e REL: BE pret hapa të tjerë nga Kosova për të hequr masat

Heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri, thanë burimet diplomatike.

Sipas këtyre burimeve, këto hapa që po ndërmerr Kosova “janë hapa në drejtim të duhur”, por në BE presin që të shohin edhe hapa të tjerë.

“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa”, tha një burim në BE për Radion Evropa e Lirë.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Megjithatë, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

As në BE nuk i janë përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse pajtimi i arritur me Kosovën për shtensionimin e situatës në veri të shtetit, do të çojë në heqjen e masave ndëshkuese që Brukseli ka vendosur ndaj Prishtinës.

Një zëdhënës i BE-së tha për REL-in se “nuk kemi asgjë për të shtuar asaj që përmes një postimi në Twitter ka thënë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, kur mirëpriti përkushtimin e Kosovës dhe pret nga Kosova hapa të tjerë pozitivë për të vazhduar avancimin në këtë drejtim”.

Borrell deklaroi më 12 korrik se do të vazhdojë puna me Kosovën dhe Serbinë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

“Procesi po vazhdon”, tha zëdhënësi, duke kujtuar se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, janë pajtuar për hapat e parë prioritarë në tri fusha që kishe kërkuar BE-ja.

“Kjo përfshin zvogëlimin e menjëhershëm të pranisë së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave, kryerje të vlerësimeve të rregullta të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in sipas nevojës, të shqyrtohet mundësia për zvogëlim të mëtejmë të pranisë, të mos bëhet asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën dhe të inkurajohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sikur edhe krijimi i bazës ligjore për zgjedhje“, tha zëdhënësi.

Ai po ashtu konfirmoi se Lajçak ka ftuar në takim javën e ardhshme kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Presim që palët të pajtohen për hapat e radhës të cilët do të mundësojnë nisjen e zbatimit të plotë të marrëveshjes, pa vonesa të reja”, tha zëdhënësi.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë në veri, nën përcjelljen e policisë, hynë në ndërtesat komunale. Serbët në veri kanë protestuar duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës./rel


Shtuar 14.07.2023 14:02