Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj arriti që të zgjidhej në raundin e katërt me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Nga ana e opozitës, në procesin e votimit për Presidentin e ri të Republikës morën pjesë 6 deputetë: 3 deputetët e LSI-së Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho dhe 3 deputetët e PDIU-së, Nusret Avdulla, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda.
Lidhur me procesin e votimit, analisti Ilir Kulla duke iu referuar informacioneve që ka, tha për emisionin “Opinion” në Tv Klan se kanë votuar pro presidentit, 2 deputetë të PDIU-së, 1 deputet/e e LSI-së ka abstenuar, ndërsa 2 deputetët e tjerë të LSI-së kanë votuar pro. Kulla shton se sipas informacioneve, 3 deputetë të PS-së kanë votuar kundër zgjedhjes së Bajram Begajt si president i ri i vendit.
Blendi Fevziu: Kush votoi nga opozita pro presidentit?
Ilir Kulla: Unë kam informacion se kanë votuar 2 deputetët e PDIU-së dhe 1 deputet i LSI-së ose deputete nuk e di mirë, ka abstenuar dhe 2 deputetët kanë votuar pro dhe 3 vota janë kundër.
Blendi Fevziu: 3 votat kundër janë të PS-së?
Ilir Kulla: Po.
Blendi Fevziu: Të PS-së, vota kundër?
Ilir Kulla: Ky është informacioni që kam unë.
Analisti Kulla shtoi se e njeh presidentin e zgjedhur, Bajram Begajn për të cilin tha se do të jetë një person i ekuilibruar dhe se do të mbajë një profil të qetë dhe të ekuilibruar.
Ilir Kulla: Unë e njoh Bajram Begajn dhe ai do të jetë një person i ekuilibruar.
Blendi Fevziu: Po çfarë profili do të mbajë sipas teje?
Ilir Kulla: Ai do të mbajë një profil të qetë, do të mundohet të flasë me të gjitha palët. Por nëse opozita do të ishte e mençuar dhe do t’i jepte sinjale Begajt që jo vetëm që e pranojnë si president, por edhe e shohin me simpati dhe votat e tyre do të ishin në mbrojtje të zyrës së presidentit, atëherë mund të kishte një ekuilibër politik. Nëse opozita e lë vetëm përballë votave të mazhorancës, që është të paktën deri në 2025-ën në pushtet, ai do të jetë një president në ato rrethana që do të ketë se aq pushtet ka presidenti.
Sjellim në vëmendje se pjesë e seancës për zgjedhjen e presidentit nga ana e opozitës ishin 26 deputetë, ku përfshiheshin ata demokratë të cilët mbështesnin Sali Berishën, LSI me 3 anëtarët e saj dhe 3 deputetët e PDIU-së.
Kreu i PD-së, Sali Berisha së bashku me grupin e deputetëve demokratë bojkotoi procesin e votimit të zgjedhjes së presidentit me arsyetimin se një ushtarak në detyrë nuk mund të mbajë funksione të tjera sipas nenit 167 të Kushtetutës./klan