Analisti nxjerr foton nga zgjedhjet e 1991: Sot politikanët kanë vetëm luks

Analisti politik Afrim Krasniqi  ka publikuar sot një fotografi nga zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

Në foto duket Bashkim Isaku, kandidat nga opozita i cili duket ulur në një zyrë të varfër dhe vetëm me një telefon para. Madje dhoma nuk ka as ndriçim.

Krasniqi shkruan se pas 30 vitesh shohim vetëm luks dhe kandidatët janë ndër njerëzit më të pasur në vendin më të varfër të Europës.

Postimi i Plotë

“Mars 1991. Kështu e nisëm pluralizmin! Ishin zgjedhjet e para pluraliste prej vitit 1923. Natyrisht, kishte parti, por patia shtet ishte e paprekur: i gjithë shteti ishte në fushatë, – drejtues gjykatash, batalionesh, shërbimi sekret, policie, etj, ishin njëherësh edhe kandidatë. Në zgjedhje kandidonte edhe vetë kryetari i KQZ, i cili humbi garën, ashti siç humbi edhe Ramiz Alia. Ne harrojmë shpejt, por kjo foto do të thotë shumë: është kandidati i opozitës, Bashkim Isaku, në fushatën e marsit 1991, në zyrën elektorale të kësaj force politike.

Pas 30 vitesh? Luks, luks, luks…partitë dhe disa prej kandidatëve të tyre janë në top listën e më të pasurve në vendin më të varfër të Europës! Dhe pasi na grabisin votat, taksat, pasurinë, të drejtat, – na thonë se duan të rrisnin fëmijët e tyre vetëm në Shqipëri dhe se ata janë shpresa jonë e vetme! Kanë të drejtë. Në cilin vend tjetër të botës demokratike do të ishin bërë kaq të pasur e të pushtetshëm sa këtu? Diku tjetër më në perëndim se ne ata do të ishin në burg ose para drejtësisë, kurse në Shqipëri ata janë gjithçka: shteti, polici, gjykata, prokurori, doganieri, inxhinieri, urbanisti, tatimori, mjeku, intelektuali, analisti..!  /albeu.com/


Shtuar 18.03.2021 11:51