Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ende nuk kanë gjetur dakordësinë për të miratuar amnistinë penale. Në këto kushte, 200 të dënuar të Burgut të Reçit i janë drejtuar me një peticion deputetëve të opozitës ku i bëjnë thirrje që të bashkojnë votat me mazhorancën për ta miratuar.
Avokati përfaqësues i tyre, Anton Kosteri në një deklaratë për mediat thotë se ligjvënësit duhet të lënë pas ndasitë dhe të bëhen bashkë për të miratuar amnistinë.
“Për t’i bërë thirrje opinionit, por të gjithë deputetëve të Kuvendit, në veçanti deputetëve të opozitës, se rreth 200 të dënuar në burgun e Recit, u janë drejtuar deputetëve të opozitës me një kërkesë për votimin sa më parë të pr.ligjit për amnistinë. Si një zë përfaqësues i këtyre të dënuarve, më kanë kërkuar t’u parashtroj deputetëve këtë kërkesë dhe peticion, që të lënë pas çdo lloj ndasie që mund të kenë dhe të shkojnë të votojnë këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë”, tha avokati.
Në letrën drejtuar deputetëve, ata thonë se ka tre vite që nuk është bërë amnisti dhe për shkak të kaosit në Kuvend nuk po përfitojnë të dënuarit siç është parashikuar në pr.ligj. Të dënuarit kërkojnë që të arrihet konsensusi mes palëve.
Për miratimin e pr.ligjit për amnistinë penale duhen 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i ka e vetme. Për shkak të kaosit, amnistia ka mbetur peng që prej muajit dhjetor pasi palët nuk kanë arritur një dakordësi për miratimin e saj./albeu.com