Rozeta Dobi është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi u përfshi mes përfitueseve të amnistisë penale. Ajo u bë e njohur si pastruesja e përfshirë në një nga ngjarjet kriminale më të bujshme të vitit 2023, ku u vodhën qindra mijëra euro.
Arrestimi i saj u krye në janar të vitit 2023, nën akuzën se kishte marrë 120 mijë euro, 30 mijë dollarë amerikanë dhe sende me vlerë nga shtëpia e Alda Klosit, ish-zyrtare e lartë e shtetit. Dobi kishte punuar si pastruese në banesën e saj për afro pesë vjet.
Të lidhura
None found
Në kuadër të hetimeve, policia kontrolloi shtëpinë e Rozeta Dobit. Brenda tubit të aspirimit u zbuluan të fshehura 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe një sasi bizhuterish floriri, të cilat u sekuestruan.
Autoritetet sekuestruan edhe 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë të rinj dhe tre automjete. Dy prej makinave dyshohej se ishin blerë me paratë e siguruara nga vjedhja.
Rasti tërhoqi vëmendje të gjerë publike si për vlerat e mëdha monetare të zbuluara, ashtu edhe për hetimet e mëvonshme lidhur me prejardhjen e tyre.
Pasi kreu një pjesë të dënimit, Rozeta Dobi la sot qelinë në burgun e Pojskës dhe rifitoi lirinë falë amnistisë penale.
