Amnesty gjen prova të krimeve të luftës në Ukrainë: Sulme vdekjeprurëse edhe në parqe lojërash

Hetuesit nga Amnesty International pretendojnë se kanë gjetur prova të krimeve të luftës nga Rusia në qytetin ukrainas të Kharkiv.

Provat e mbledhura gjatë dy javëve tregojnë se forcat ruse përdorën municione thërrmuese dhe mina të shpërndara në qytet në prill dhe në fillim të majit.

“Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë dhe plagosën qindra civilë dhe si të tilla përbëjnë krime lufte,” tha Amnesty në raportin e saj.

Qyteti, i dyti më i madhi në Ukrainë, u përball me bombardime pothuajse të vazhdueshme që nga pushtimi në shkurt derisa forcat ruse u shtynë në maj.

Jean-Baptiste Gallopin, konsulent kërkimor për Amnesty, tha se ishin zbuluar prova të një sulmi me municione thërrmuese në një shesh lojërash, ku vdiqën 9 njerëz dhe plagosi 35 të tjerë.

Rusia deri më tani ka mohuar të ketë shënjestruar civilët dhe as Rusia e as Ukraina nuk kanë nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare që ndalon municionet thërrmuese.

Amnesty tha se përdorimi i armëve të tilla përbën një krim lufte nëse është pa dallim dhe vret ose dëmton civilët.

Organizata zbuloi gjithashtu se forcat ukrainase kishin shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar duke vendosur artileri pranë ndërtesave të banimit, duke tërhequr zjarrin rus, megjithëse Gallopin tha se kjo “në asnjë mënyrë nuk justifikon granatimet e pamëshirshme pa dallim të qytetit nga forcat ruse”./albeu.com