Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield në studion e emisionit “Opinion” foli edhe për retorikën e luftës bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin. Ambasadorja e konsideron të papranueshme këtë lloj gjuhe nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit si Rusia dhe shprehet se SHBA po e trajtojnë këtë çështje me seriozitet.
Blendi Fevziu: Ne e besojmë këtë, absolutisht. Ambasadore, Presidenti Putin po e shton retorikën e luftës bërthamore. A është vetëm retorikë apo duhet të kemi frikë?
Ambasadorja Thomas-Greenfield: I kemi përcjellë mesazhe Presidentit Putin si drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes të tjerësh, se është e papranueshme që të përdorë atë lloj gjuhe si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Është diçka që nuk presim një vend që ka besim tek vetja të përdorë atë lloj gjuhe, por po e marrim seriozisht. Po e marrim seriozisht këtë. E kemi ngritur në kontekstin e Këshillit dhe po vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Ukrainën në çdo rast në mënyrë që të mund të mbrojnë veten.
Blendi Fevziu: Është një situatë e çmendur, të mendosh që një person i vetëm, jo institucionet, jo parlamenti, asgjë, vetëm një njeri ‘one man shoë’ kjo është e çuditshme. Një shtet i madh si Rusia dhe ndaj dua t’ju pyes; të gjithë janë të përqendruar të Rusia. Rusia ka edhe problemet e veta të brendshme, probleme të mëdha me sanksionet dhe probleme ekonomike. Por, ky është edhe një moment kur Kina po forcohet. Kina është e pranishme kudo në Europë. Janë në Afrikë. Në çdo vend që viziton, do gjesh hotele kineze, investime kineze, ndërtime kineze. A po krijon Kina një profil të ri në botë, më të fuqishëm se më parë?
Ambasadorja Thomas-Greenfield: Sigurisht që janë. Kanë bërë përpjekje vërtet të bashkërenduar për të mbushur hapësira, për arsye që vetëm ata mund t’jua thonë, që mendojnë se janë të hapura për ta. Sigurisht u futën në hapësira nga ku u tërhoqëm ne në vitet e shkuara kur nuk ishim anëtarë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Kur u tërhoqëm nga OBSH. Pra, janë përpjekur të mbushin këto hapësira. Kanë bërë çmos në Nju Jork në përpjekje për të vendosur sistemin e vlerave të tyre brenda sistemit të OKB-së. Por ne jemi kthyer tashmë. Jemi kthyer. Dhe ne po ushtrojmë udhëheqësinë tonë. Po zmbrapsim përpjekjet e tyre kudo në botë për të ripërkufizuar rendin botëror. Dhe po punojmë shumë, shumë ngushtë me të gjithë partnerët tanë për t’u siguruar që vlerat që janë sanksionuar në Kartën e OKB-së të respektohen nga të gjithë anëtarët./klan