Ambasadorja Michèle Taylor, Përfaqësuese e Përhershme e SHBA-së në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, zhvilloi një takim konstruktiv me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Prof. Genti Kruja.
Ky takim, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të dialogut ndërfetar në avancimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës paqësore në rajon.
Në diskutim u trajtuan një sërë çështjesh të ndërlidhura, përfshirë rolin e Shqipërisë si një model frymëzues për dialogun ndërfetar, që historikisht ka luajtur një rol thelbësor në shoqërinë shqiptare.
Ambasadorja Taylor, vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe harmonisë midis komuniteteve të ndryshme fetare, duke nënvizuar se ky model i veçantë bashkëjetese është një shembull i çmuar, për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Gjatë takimit, Prof. Genti Kruja, ndau me ambasadoren përvojën dhe përkushtimin e Këshillit Ndërfetar për të nxitur paqen, tolerancën dhe dialogun e vazhdueshëm ndërmjet besimeve të ndryshme në Shqipëri.
Ai theksoi se; përmes aktiviteteve të shumta të promovimit të dialogut dhe projekteve arsimore, Këshilli Ndërfetar synon të ndërtojë ura mirëkuptimi që kontribuojnë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe stabilitetin shoqëror.
Ky takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të dy vendeve, shënon një moment të veçantë për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe promovon rëndësinë e vlerave të përbashkëta të respektit dhe bashkëjetesës paqësore.