Ambasadori i BE-së takon ministren Koçiu/ Gonzato: Siguria dhe migracioni është thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu takoi sot ambasadorin e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e angazhuar për përmbushjen e kritereve fillestare të kapitujve 23 dhe 24, me fokus te sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe siguria.

“Në takimin e sotëm falenderova Ambasadorin e Bashkimit Evropian Silvio Gonzato dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në reformat e nisura”, shkruan Koçiu.

Ambasadori Gonzato theksoi se progresi në dosjet që lidhen me punët e brendshme, sigurinë dhe migracionin është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi se këto reforma nuk janë vetëm të rëndësishme për integrimin në BE, por edhe domethënëse për qytetarët shqiptarë, pasi sjellin mbrojtje për personat në situata të cenueshme, institucione më të forta dhe më shumë siguri për qytetarët. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ministrinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese shqiptare me asistencë teknike dhe financiare.


Shtuar 24.09.2025 21:34