Ambasadori gjerman, Jorn Rohde: Nuk ka rrezik për luftë mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se nuk ka rrezik mes Kosovës dhe Serbisë për luftë, duke theksuar se NATO ofron siguri për gjithë vendin. Kështu është shprehur Rohde në një intervistë, duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Jo. Kjo është një retorikë që po i ngritë emocionet dhe po i rritë tensionet dhe kjo asnjëherë nuk ndihmon. Kosova ka prezencë të trupave të KFOR-it për më shumë se 22 vjet, dhe NATO ofron siguri për vendin. Janë 27 shtete këtu që kontribuojnë për stabilitet Kosovë”, tha Rohde, për televizionin teve1

Ai ka shtuar se këto janë përpjekje të Rusisë që ta destabilizojë rajonin dhe synon që të ngadalësojë procesin e integrimeve të këtyre vendeve.

“Çfarë shoh unë janë përpjekjet që vijnë nga Rusia për ta destabilizuar regjionin e Ballkanit Perëndimor. Rusia synon që ta ngadalësojë procesin e integrimeve për këto vende. Palët duhet ta kuptojë që rruga për në Evropë arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe jo konfrontimit”, tha Rohde.

Ndër të tjera, bëri thirrje që Qeveria të respektoj marrëveshjet e Brukselit.

“Ne e kemi thënë disa herë se marrëveshjet e Brukselit duhet të respektohen. Siç janë arritur ato marrëveshjet që i ceka më herët për targa dhe letërnjoftime, edhe asociacioni është një marrëveshje që duhet të respektohet dhe të zbatohet. Pyetja është si? Kjo i takon Qeverisë së Kosovës se si do e zbatojë. Duhet të ketë propozime nga Qeveria dhe jo të zmadhohet problemi. Nuk ka as edhe një rrezik të ketë një Republika Sprska brenda Kosovës”, tha Rohde.

Shtuar 28.09.2022 08:27