Qyteti i Shkodrës dhe e gjithë Shqipëria morën lajmin e hudhur të premten që lamë pas, atë të ndarjes nga jeta të aktorit dhe mjeshtrit të madh të humorit, Zef Deda.
Legjenda e artit shqiptar u përcoll për në banesën e fundit ditën e shtunë, pas homazhe që u kryen në Teatrin “Migjeni” ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij.
Zef Deda pikëlloi të gjithë ata që e njihnin nga afër si dhe ata që e njohën atë përmes ekranit me anë të qindra personazheve që ai interpretoi, por një dhimbje të madhe dhe të pashërueshme la për bashkëshorten e tij Rozina si dhe dy djemtë, Juljanin dhe Marjanin.
Djali i tij i madh, Juljan Deda, ka ndarë për publikun e gjërë edhe “amanetin” e fundit që u la Zef Deda para se të largohej përgjithmonë nga kjo botë.
“Porosia e tij e fundit “ju du t’qeshun”, do shkoje ne vend.
Familja jone falenderon perzemersisht secilin nga ju, per mbeshtetjen dhe respektin e treguar. Ju duam..!”, shkruan Deda krah fotos me nënën dhe të vëllain, ku shihen të qeshur ashtu si dhe Zefi donte t’i shihte.
Aktori i mirënjohur, kolosi i humorit shqiptar, Zef Deda, ndërroi jetë më 24 nëntor në moshën 73-vjeçare. Zef Deda vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë me të cilën nuk arriti të fitonte betejën. Ai u përcoll për në banesën e fundit më 25 nëntor mes lotëve të familjarëve, kolegëve dhe qindra shqiptarëve të cilët ndonëse nuk patën mundësi për të qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit, i shprehën ngushëllime familjarëve përmes mesazheve dhe rrjeteve sociale.