Alternativa nesër vendos nëse do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar

Partia opozitare “Alternativa” ka caktuar seancën e Kryesisë Qendrore për nesër në ora 18:00, e cila është shtyrë për shkak të tri ditëve zie dhe aksidentit të autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 pasagjerë.

Anëtari dhe deputeti “Alternativës” Skender Rexhepi deklaroi për MIA-n se nesër në mbrëmje anëtarët e Kryesisë Qendrore duhet t’i japin orientim Kuvendit Qendror, organit më të lartë të partisë dhe do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë dhe e shumicës parlamentare apo mbeten pjesë e bllokut opozitar.

“Besoj se në një dialog do të përballemi me të gjitha argumentet “për” dhe “kundër” dhe se do të merret një vendim i duhur”, thotë Rexhepi.

Qëndrimi i tij është, siç tha ai, nëse “Alternativa” vendos të bëhet pjesë e Qeverisë, kusht duhet të jetë prioriteti i programit të partisë para pozitave të pushtetit.

Kryetari i partisë, Afrim Gashi, javën e kaluar ka takuar kryeministrin dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev, ku është zyrtarizuar propozimi që “Alternativa” të jetë pjesë e koalicionit qeveritar, i cili do të rrisë edhe shumicën në Kuvend me katër deputetë.

Nënshkrues të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ishin edhe deputetët e “Alternativës”, por pasi në seancë nuk erdhi Kastriot Rexhepi nga partia opozitare Lëvizja Besa, kjo tentativë e partive opozitare dështoi. Tani Zoran Zaev po tenton të rrisë shumicën në Kuvend që në vend të 61 deputetëve të jenë 65. Kjo do të mundësonte forcimin e pozitave të mazhorancës dhe Qeveri të qëndrueshme./alsat

 


Shtuar 25.11.2021 13:53