Alo! SPAK-u? Te Trauma keni një mjek që pranon se merr ryshfet, s’ka nevojë t’a përgjoni! (VIDEO)

Tema e ditës ndryshon shpejt në Shqipëri, ku për shkak të zhvillimeve të shpejta opinioni publik nuk arrin dot të njihet plotësisht me skandalet e zyrtarëve, por edhe “mufkat” e lëshuara nga personazhe publike apo individë të rendësishëm, siç janë mjekët për shembull.

Pas arrestimit të dy mjekëve në spitalin e Traumës për korrupsion, kirurgu Myftar Torba bëri bujë me deklaratën e tij në media duke kërkuar që qytetarët të mos vijonin më të jepnin rryshfet nën dorë apo nëpër cepa zyrash, por gjithçka që kishin për mjekët t’i linin te recepsioni.

Deklarata, e cila kërkon legjitimimin e rryshfetit ishte aq e pabesueshme sa që shumëkujt iu desh ta dëgjonte disa herë për t’u siguruar që kirurgu Torba e kishte thënë pikërisht ashtu.

Çfarë tha saktërisht kirurgu Myftar Torba:

“Çështja e korrupsionit është lehtësisht e zgjidhshme. Mjafon që paratë që përfliten sot në telefona nga familjarë dhe mjekë që kushton kaq ky operacion, nesër në mëngjes këto para të paguhen me faturë të recepsioni dhe mjekët të paguhen po kaq sa paguhen sot, por me faturë. Këto lekë që ulin sot dinjitetin e doktorit nën shkallë, pas peme apo në cepa zyrash, nesër të paguhen te recepsioni”.

Por nuk mbaron me kaq, idenë e tij të çmendur, mjeku e mbrojti edhe në studiot televizive duke theksuar se nëse nuk do të merrte bakshish nga familjarët e pacientëve, asnjë mjek nuk do të rrinte në spital.

“Unë të siguroj që nesër nëse nuk mund të jepnin me asnjë dhuratë apo bakshish që kompenson rrogën, nuk do ngelte asnjë mjek në spital. Kjo është kontrata. Nëse unë mbetem i kënaqur me rrogën që marr dhe me bakshishin që marr rri. E di se sa është pagesa? Eshtë gënjeshtër kjo merr rrogën rri e punon. E di sa është pagesa në spital, neto e një kirurgu me 30 vite eksperiecë është 800 mijë lekë të vjetra. Më thuaj se cili kuzhinier, prokuror, hidraulik e ka kaq”, u shpreh ai.

Që nga fillimi deri në fund, mjeku Torba flet pa teklif për marrjen e parave nga të afërmit e pacientëve, madje duke theksuar se nëse kjo nuk ndodhte, atëherë asnjë mjek nuk do të rrinte në punë.

Deri më tani, SPAK-ut i është dashur që të bëjë përgjime për të zbuluar se cili mjek merr rryshfet, ndërkohë që çuditërisht, në mes të ditës, njëri prej thotë e praonon publikisht marrjen e rryshfetit, madje kërkon edhe legalizimin e tij.

Duke mos u mjaftuar me veten, kirurgu në fjalë merr përsipër të flasë edhe për kolegët duke thënë se do të iknin nga puna nëse nuk merrnin para nën dorë.

A duhet të bëjë më shumë një mjek që të merren masa ndaj tij?

Në rastin më të mirë, ai duhet të largohet nga sistemi shëndetësor dhe në rastin më të keq (për të), SPAK duhet të ndërhyjë. Të paktën kësaj radhe nuk i duhet as të përgjojë..se mjeku e pranon vetë që merr rryshfet.

Alo! SPAK-u, aty je? Po Ogerta? /27.al


Shtuar 10.07.2021 23:50