Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, ka zhvilluar një takimditëne sotme me aktivistë të shoqërisë civile dhe ish të përndjekur politikë, ku kanë diskutuar për ligjin për lustracionin.
Në postimin e tij në Facebook, Alibeaj thekson se pavarësisht etiketimeve politike, ligji për lustracionin është një domosdoshmëri.
Sipas tij nëse nuk mësojmë nga e kaluara, rrezikojmë të ardhmen.
Postimi i Alibeajt:
Ligji për lustracionin vazhdon të mbetet një inisiativë e nevojshme për shoqërinë shqiptare. Si i tillë çdo etiketim për përdorim politik apo hakmarrje nuk është i vërtetë dhe pengon rrugën drejt rivendosjes në vend të së vërtetës së mohuar, dinjitetit dhe pajtimit.
Kisha kënaqësinë që sot bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të ish-të përndjekur politikë, të diskutonim hapur për nevojën e domosdoshme të këtij projektligji, pasuruar me këndvështrime dhe gjykime të ndryshme. Ky projektligj vjen pas vendimit historik të hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në diktaturën komuniste dhe është një hallkë në zinxhirin e munguar të dekomunistifikimit të Shqipërisë.
Grupi Parlamentar dhe Partia Demokratike ka për detyrë madhore hartimin e një ligji që brenda çdo standarti të sigurojë që e kaluara e errët të bëhet transparente e më tej të punohet që gabimet e së shkuarës të mos jenë prezent e të ndikojnë në vendimmarrjen e sotme. Duke e bërë këtë në bashkëpunim me publikun dhe me modele të njohura të asaj pjese të Europës që përjetoi komunizmin.
Nëse nuk mësojmë nga e kaluara, ajo rrezikon të përsëritet!
/AlbEu.com/