Ali Ahmeti: Çashka po bën historinë me Suatin kryetar (FOTO+VIDEO)

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij potencoi përkrahjen ndaj kandidaturës së Suat Shaqirit dhe shprehu bindjen për fitoren e tij dhe agjendës së blertë në zgjedhjet e 17 Tetorit.

Ai iu drejtua edhe mërgimtarëve të rajonit të Çashkës që të votojnë në zgjedhjet lokale në vendin tonë, për zhvillimin e të cilit në vazhdimësi po kontribuojnë.

“Nëse ju kujtohet para një viti dolëm me një platformë për kryeministër shqiptar, kishte shumë që nuk besonin, por nijeti kur është i mirë nuk ka forcë që e ndal dhe ne në zgjedhjet e ardhshme që do të vijnë hyjmë me kryeministër shqiptar, kryeministër të parë në këtë vend. Pse i kemi bërë të gjitha këto? I kemi bërë për ti tejkaluar paragjykimet, për tu thënë të gjithëve që ky vend është edhe i shqiptarëve. Kur më pyetën se a beson se do të bëhet kryeministri shqiptar, lëre thashë që besoj por edhe do të bëhet, jo vetëm që besoj por edhe do të bëhet Suati kryetar i Çashkës sepse qëndroni të gjithë bashkë. Ju keni bashkuar listat, ju keni bashkuar qëllimin. Suati mbi interesat personale, ka vendosur interesat madhore,  interesin e përgjithshëm në shërbim të juajin, për jetë më të mirë, për shkolla më të mira, për shërbime shëndetësore edhe më të mira, për infrastrukturë, rrugë e ujësjellës dhe asnjëherë nuk do ti mungojë përkrahja në realizim të këtyre objektivave.” – u shpreh në fjalimin e tij kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi kërkoi nga banorët e Çashkës përkrahjen maksimale për kandidatin Suat Shaqiri, për realizimin e projekteve të agjendës së blertë, për të bërë historinë në Çashkë duke dëshmuar se një kryetar komune shqiptar mund të jetë kryetar në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve.“Kërçova e 2013-tës është Çashka e 2021. Çairi i 2005-tës është Çashka e 2021. Struga e 2005-tës është Çashka e 2021.

Përçojeni lajmin të cilin ua ka sjellë sonte këtu Ali Ahmeti, mos leni shtëpi pa takuar, mos leni njerëz pa i lajmëruar sepse ju po bëni historinë sot. Ju po e bëni Çairin, ju po e bëni Strugën, ju po e bëni Kërçovën, ju po e bëni vëllezër Çashkën me Suat Shaqirin. Ali Ahmeti në 2001 luftën e bëri, pas luftës Ali Ahmeti kushtetutën e ndërroi, pasi e ndërroi kushtetutën e bëri Ali Ahmeti Universitetin Shtetëror të Tetovës, pasi e bëri Universitetin e Tetovës i bëri Strugën, Çairin, Kërçovën shqiptare, e bëri ligjin për ndarje territoriale, i punësoi 25.000 shqiptarë ku njëri prej tyre është edhe vet Suati në administratën shtetërore, e bëri gjuhën shqipe gjuhë zyrtare, e bëri flamurin kombëtar shqiptar zyrtar në vendin tonë. Por, nuk u ndal këtu sepse nuk punoi vetëm për shqiptarët. Ali Ahmeti punon për të gjithë. Ali Ahmeti e bëri këtë vend, vend anëtar të NATO-s. Ali Ahmeti këtë vend do ta bëjë vend anëtar të Bashkimit Europian. Ali Ahmeti siç i ka bërë të gjitha këto punë, edhe siç e ka bërë Kosovën Republikë, do ta bëjë Çashkën shqiptare vëllezër.” /albeu.com/

Video përshkrim nga aktiviteti në Jabollçishtë të Epërme të Çashkës:


Shtuar 3.10.2021 18:12