Kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerëson se deklarata e liderit të opozitës që “struktura gjysmë kriminale brenda LSDM-së po i bëjnë presion deputetëve socialdemokrat” është alibi për të mbuluar dështimin e tij për të rrëzuar Qeverinë. Kovaçevski tha se Mickoski duhet ta di se shumica do të zgjerohet edhe më shumë.
“Dua ta porosis zotin Mickoski se jo vetëm që nuk i ka 61 deputet, jo vetëm që deputetët tanë janë të lirë të vendosin sipas bindjeve të tyre dhe përcaktimeve programore dhe partiake, por dua t’i them se shumica parlamentare do të zgjerohet edhe më shumë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por VMRO-DPMNE-ja edhe sot ka vazhduar me akuza të tilla kundrejt LSDM-së. Sipas tyre, LSDM-ja po i mban nën presion deputetët të cilët janë të pakënaqur me punën e Qeverisë.
“Në mënyrë të çmendur bëjnë presion ndaj çdo deputeti. Kjo është një dëshmi për metodat jo demokratike me të cilat funksionon Qeveria. Derisa Qeveria është e vetëdijshme për dëmet që i ka shkaktuar, derisa ia mendon të mirën të gjithë qytetarëve, pa u menduar dy herë do ta shpërndan Kuvendin ose Kovaçevski do të deklaron dorëheqjen e gjithë Qeverisë”, tha Marija Miteva, Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Derisa opozita maqedonase vazhdon të kërkon nga Aleanca për Shqiptarët emrat e faktorëve ndërkombëtar që po bëjnë presion që partia e Arben Taravarit të bëhet pjesë e shumicës, Kovaçevski i pyetur për negociatat me ASH-në tha se niveli i tyre akoma nuk ka arritur në ndarjen e resorëve. Jo zyrtarisht, Aleanca për Shqiptarët kërkon Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë. Pos ministrive, Taravari synon të marrë edhe shumë drejtori, në mesin e të cilëve edhe Fondin Pensional, Hekurudhat, Avokaturën e Shtetit dhe të tjera. Ndërkohë Alternativa është kërcënuar se në rast se preket marrëveshja e tyre, ata do të kalojnë në opozitë. /Alsat.mk