Aleanca anti-perëndimore e naftës po shpërbëhet, Putin më i izoluar se kurrë më parë

Nga Damien Phillips “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa Rusia po përpiqet të ruajë përfitimet e saj territoriale përballë kundërofensivës të shumëpritur të Ukrainës, po shihen shenjat e para se ajo po dështon që të ruajë edhe arritjet e saj diplomatike dhe të politikës së jashtme.

Aleancat energjitike anti-perëndimore që kishte ndërtuar në mbarë botën me shumë nga vende kryesorë prodhuese të naftës dhe gazit, të cilat kishin rezistuar pavarësisht pushtimit, kanë nisur që të prishen. Përpjekjet e saj për të goditur konkurrentët e naftës dhe gazit rus kanë rezultuar të kota.

Gjithçka shkoi shumë keq dhe mjaft shpejt për Rusinë. Në vitin 2016, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) u zgjerua për të përfshirë Rusinë si pjesë të OPEC+. Marrëveshja, e ndërmjetësuar me kujdes nga Arabia Saudite, u pa si një fitore personale për sundimtarin de fakto, Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman (MBS).

Në atë kohë u fol shumë për një “një bromance të re nafte” midis MBS dhe Vladimir Putin.

Qëkur tanket ruse nisën të mësyjnë në Ukrainë, OPEC+ është sjellë krejtësisht në përputhje me prioritetet e politikës ruse.

Ndërsa bota perëndimore po vuan nga një krizë ekonomike e shkaktuar pjesërisht nga kostot e larta të energjisë – dhe regjimi i Putinit varet nga çmimet e larta të naftës për të financuar luftën – OPEC+ ka mbajtur vazhdimisht anën e Rusisë. Ajo e ka bërë këtë duke ndërhyrë për të rritur çmimet e naftës, dhe duke rënë dakord për një reduktim të konsiderueshëm të prodhimit midis 24 anëtarëve të saj.

Megjithatë, në takimin e javës së kaluar të OPEC+, nisën të shfaqen tensionet. Thuhet se zyrtarët sauditë janë bërë gjithnjë e më të mërzitur nga fakti se Rusia në vend se të ulte prodhimin e naftës me 500.000 fuçi në ditë, siç u ra dakord në një takim të OPEC+ në prill, po e furnizon tregun me naftë me ulje çmimi për të financuar ekonominë e saj në vështirësi dhe “operacionin special ushtarak”.

Duket se synimi i Rusisë është që anëtarët e OPEC-ut t’i ngrenë çmimet e naftës sa më lart që të jetë e mundur, në mënyrë që Moska të mund t’i ulë nën nivelin e përcaktuar në të cilin lejohet zyrtarisht të shesë naftë për shkak të kufizimeve të vendosura nga G7.

Kjo strategji duket se po funksionon tani për tani:India dhe Kina po e konsumojnë naftën ruse me ritme rekord, duke shpërfillur sanksionet perëndimore, dhe anëtarët kryesorë të OPEC-ut kanë humbur pjesën e tregut. Por kjo është një lojë e rrezikshme për Rusinë.

Nafta e saj është e shtrenjtë për t’u prodhuar, dhe teprica e ofertës që po krijon, po i çon drejt rënies çmimet globale të naftës, të cilat në fundjavë ranë nën 70 dollarë për fuçi. Dhe kjo mund ta detyrojë Rusinë të shesë naftën e saj me humbje të mëdha, gjë që do të dëmtojë aftësinë e saj për të financuar operacionet e ardhshme ushtarake në Ukrainë.

Më e rëndësishmja, një qasje e tillë dritëshkurtër dhe e fshehtë po e gërryen besimin brenda OPEC+. Raportet nga takimi i fundit i OPEC+ në Vjenë, pretendojnë se ministri saudit i energjisë i ishte ‘sosur durimi me anëtarët e OPEC që nuk përmbushnin synimet e prodhimit të naftës’, dhe ai kërkoi ‘më shumë transparencë të prodhimit të naftës nga Rusia”.

Thënë shkurt:ne nuk ju besojmë më. Pasojat e mundshme afatgjata për Putinin mund të jenë të tmerrshme. Precedenti që po krijon Rusia brenda OPEC+, ku disa anëtarë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë të prirur të rrisin prodhimin, mund ta shkatërrojë vetë aleancën energjetike, e cila deri më tani ka qenë e dobishme për të.

Edhe shtylla e dytë e strategjisë së Rusisë, përmes së cilës ajo ka synuar të kontrollojë furnizuesit kryesorë të energjisë në Evropë në përpjekje për ta penguar BE-në që të kërkojë alternativa ndaj energjisë ruse, është gjithashtu në rënie.

Prej më shumë se 4 vjetësh, po zhvillohet një nismë e përbashkët midis Rusisë dhe aleatit të saj më të afërt në Lindjen e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe, për të financuar mercenarët e Ëagner Gruop që ndihmojnë gjeneralin renegat libian Khalifa Haftar në përpjekjen e tij për të rrëzuar qeverinë zyrtare të mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.

Suksesi i aleancës së tyre, do t’i kishte dhënë Rusisë kontrollin mbi rezervat e rëndësishme të naftës dhe gazit të Libisë. Në fakt, pavarësisht disa përpjekjeve të pasuksesshme për grusht shteti, qeveria libiane e unitetit kombëtar qëndron ende në këmbë.

Madje së fundmi, ajo nënshkroi një marrëveshje prej 8 miliardë dollarësh me kompaninë italiane të energjisë, ENI, për të eksportuar gaz në Evropë përmes gazsjellësit Greenstream. Ndërkohë, Algjeria – një aleate e vjetër e Moskës në rajon dhe blerësja e tretë më e madhe e armëve ruse – zgjodhi rritjen ekonomike dhe interesin e saj kombëtar, në vend të shqetësimeve të politikës së jashtme ruse.

Në fillim të këtij viti, edhe ajo nënshkroi një sërë marrëveshjesh me italianen ENI, me synimin që Italia të shndërrohet në një platformë për shpërndarjen e produkteve energjetike algjeriane në Evropë, duke e ndihmuar kontinentin t’i japie fund njëherë e mirë varësisë së tij nga gazi dhe nafta ruse.

Regjimet autoritare si ai i Putin, që i nënshtrohen tekave të udhëheqësit dhe pa përgjegjësinë e demokracive liberale me të cilat ai tallet aq shumë, e kanë shumë të vështirë të ruajnë aleancat e tyre me kalimin e kohës, sepse ato janë në thelb të pabesueshme si partnerë.

Shpërbërja graduale e aleancës energjetike anti-perëndimore që kishte ndërtuar Rusia – dhe zhgënjimi i ish-aleatëve të saj për shkak të dyfytyrësisë së vetë regjimit – është një shembull klasik. Vladimir Putin është sot më i izoluar se kurrë më parë.


Shtuar 15.06.2023 11:26