Albin Kurti: Unë kam qenë rob lufte, amerikanët të mos të presin që unë ta shoh Serbinë si ata

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.

“Amerikanët nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit të Shtetit.

Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik dhe e di historinë e serbëve dhe shqiptarëve.

SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, SHBA janë dëshmitare, nuk janë viktima.

Prandaj unë Serbinë e njohë më mirë dhe nuk mund ta kem as të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri sikurse Departamenti i Shtetit.

Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, ka deklaruar ai në një bashkëbisedim me Ditmir Bushatin në episodin e radhës të emisionit të tij “Public Square”, ka folur për raportet me SHBA-në.

Kurti ka thënë se paraardhësit e tij e kanë vështirësuar pozicionin e tij në ndërtimin e raporteve me ndërkombëtarët.

Kurti ka thënë se ambiciet e tij për Republikën e Kosovës janë më të mëdha se të Washingtonit dhe Brukselit. Sipas tij, kjo është normale.

“Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin tonë dhe kombin tonë nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet më të mëdha për ne se ne për popullin tonë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se rezultatet që priteshin nuk i kanë sa i përket dialogut me serbët e Kosovës, ashtu siç kishte premtuar para se të merrte mandatin e kryeministrit.

Sipas tij, kjo për shkak se në njërën anë ka pasur një tejreagim nga ana e Beogradit dhe në anën tjetër sipas tij, për shkak se një pjesë e punës së Qeverisë nuk është bërë publike.

Ka deklaruar se nuk ka ditë që nuk takon qytetarë serbë të Kosovës.

“Kërkesa e tyre e parë dhe e fundit teksa dalin nga takimi është që të mos ketë fotografi, komunikatë e të mos përmenden emrat.

Serbët që integrohen në sistemin e Kosovës, heqin të zitë e ullirit nëse shkojnë në Serbi.

Është shumë e vështirë për serbët e Kosovës të thonë se janë takuar me kryeministrin Kurti. Mua më dhemb zemra që nuk po arrij t’i mbrojë serbët që po integrohen në Kosovë”, ka thënë ai.

I pari i Qeverisë derisa ka folur për marrëdhëniet me shtetet e rajonit që kanë udhëheqës shqiptarë, ka shtuar se vazhdojnë të kenë qëndrime joidentike karshi Beogradit zyrtar dhe ndjeshmëri të ndryshme.

Sipas tij, nëse shikohen shqiptarët në Ballkan kudo që janë në skenat politike, dallimet që i kanë në qëndrime karshi Beogradit zyrtar, më pastaj shndërrohen dhe në pengesa bashkëpunimi me njëri-tjetrin.

“Në njëfarë mënyre, konflikti mes kombit shqiptar dhe Beogradit nuk ka përfunduar ende”, ka thënë ai duke shtuar se dallimet që i kanë me njëri-tjetrin shtet e rajonit me udhëheqës shqiptarë në raport me këtë konflikt në raport me Serbinë janë shndërruar dhe në pengesa të brendshme.

Kurti për politikën e Rugovës në vitet 90’të: Ishte tejet pasive për të qenë rezistencë

Kryeministri Kurti ka theksuar se politika e viteve të ’90 ka qenë tejet pasive për të qenë rezistencë. Ai ka folur edhe për fillimin e angazhimit të tij politik asokohe. Ai “Public Square”, me tregoi shumë gjëra për atë kohë dhe për lëvizjen studentore.

“Angazhimin tim politik unë e kam filluar në protesta studentore. Pra, fillimisht si aksion. Do thosha si një lloj përpjekje e studentëve të Universitetit të Prishtinës që u ngritën, së pari, për lirimin e objekteve dhe hapësirës universitare, gjithashtu edhe për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e Kosovës.

Në Qershor të vitit 1991, të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës ishin dëbuar nga universiteti së bashku me profesorët e tyre.

Kjo ishte arsyeja se pse ne për gati një dekadë ndodheshim në objektet private, ku i kishim shndërruar ato në shtëpi-shkolla dhe në shtëpi-universitet.

Paralelisht me këtë edhe prindërit tanë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës. Nga fabrikat, spitalet, nga të gjitha institucionet publike shtetërore.

Ishte koha e aparteidit në Kosovë, ku të ishe qytetar shqiptar do të thotë të ishe qytetar i rendit të dytë, do të thotë të mos ishe fare qytetar.

Të ishe i shtypur dhe i shfrytëzuar sipas përkufizimit. Vrasja e shqiptarëve nuk paraqiste krim në atë kohë. Prandaj, kishte shumë vrasje të shqiptarëve për të cilët vrasësit nuk mbanin asnjë orë burg.

Në këto kushte unë isha student dhe më dukej që politika e atëhershme bënte rezistencë paqësore, pasive, që disi, ishte tejet pasive për të qenë rezistencë.

Ne filluam ta ri-dimensionojmë rezistencën asokohe ku me protesta dhe demonstrata filluam ta bëjmë rezistencën paqësore aktive.

Por, shumë shpejt shpërtheu lufta në Kosovë dhe ishte e qartë që faktorët ndërkombëtare nuk do të bënin sehir sikurse në rastin e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi. Sipas tij, kjo ndërhyrje ka ardhur pas një dekade aparteidi e pushtimi.

Unë besoj se ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit, apo, Jugosllavisë së tretë siç thuhej në atë kohë – Jugosllavia e parë ishte ajo monarkike, Jugosllavia e dytë ishte ajo e Titos dhe e treta, kjo e Millosheviçit – kishte si faktor përcaktues një lloj brejtje të ndërgjegjes të komunitetit ndërkombëtar që kishte ndërhyrë tepër vonë, tepër pak në Bosnje-Hercegovinë.

Pra, pasi atje ngjau gjenocidi. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, në fakt ishte ndërhyrje e NATO-s në Jugosllavi. Kishte bombardime dhe në Mal të Zi, dhe në Vojvodinë, dhe në Serbi.

Por, më shumë kishte bombardime në Kosovë ndaj forcave policore dhe ushtarake të Serbisë që ishin në caqet e ndërhyrjes së NATO-s.

Me fjalë të tjera, ndërhyrja e NATO-s vjen pas një dekade aparteidi, pushtimi klasik në Kosovë, pas shfuqizimit të autonomisë, e cila dhe ashtu nuk ishte Republikë.

Dhe në anën tjetër, pas ndërhyrjeve në Kroaci dhe sidomos në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Kurti.

“Unë besoj që nga pikëpamja ime si politikan, që në atë kohë që kisha filluar me politikën si aksion në unionin studentor, këtu në terren ishin dy faktorët kryesore që bënë që pranvera e vitit 1999 të jetë fillimi i fundit i luftës në Kosovë dhe uvertura e çlirimit të popullit dhe vendit tonë.

Në aspektin ndërkombëtar ishin dhe dy faktorë të tjerë mendoj.

E para, Serbia refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë, ndonëse ajo ishte mjaft e favorshme për Serbinë, për Millosheviçin.

Ai e refuzoi atë nga mendjemadhësia, nga arroganca dhe nga fakti që shqiptarët nuk i konsideronte as qytetarë, as njerëz dhe vazhdimisht Millosheviç i thoshte Richard Holbrooke se, “me shqiptarët mund të mbaroj punë për 48 orë nëse do t’i kishte tamam duart e lira nga bashkësia ndërkombëtare”.

Faktori tjetër ishte një lloj frike e qartë te Perëndimi demokratik se lufta në Kosovë, nuk do mund të mbetej vetëm në Kosovë. Dihet që Republika e Shqipërisë është e rrethuar me shqiptarë.

Ka shqiptarë në Mal të Zi, në Kosovë po e po, në Luginën e Preshevës edhe në Maqedoninë e Veriut.

Faktori ndërkombëtar e kuptonte mirë që po të zgjatej lufta edhe ca më shumë, meqenëse Serbia kishte një aparat gjigant ushtarak e policor, shqiptarët nuk do të reagonin vetëm si shqiptarë të Kosovës, por si një komb në Ballkan.

E kjo do përfshinte edhe shtete të tjera. Andaj, faktori i dytë në aspektin ndërkombëtar pse unë besoj që me 24 Mars 1999 ranë bombat mbi Beogradin dhe caqet e tjera të NATO-s të asaj kohe ishte, paralelisht mospranimi i Marrëveshjes së Rambujesë që ishte i favorshëm për Serbinë dhe frika e Perëndimit demokratik që lufta do të përhapej edhe në vende të tjera në këtë pjesë të Europës”, ka theksuar ndër të tjera kryeministri Kurti.


Shtuar 31.03.2024 08:51