Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.
Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet do të miratohen për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.
Albeu.com ka siguruar raportin për Shqipërinë ku KE ka bërë një panoramë të zymtë për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një draft të progres-raportit për vitin 2023, Komisioni Evropian thotë se zgjedhjet u zhvilluan në klimë të qetë, por duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga OSBE-ODIHR identifikon një sërë parregullsish.
“Për sa i përket kritereve politike, zgjedhjet e rregullta lokale më 14 maj 2023 u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë. Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe pretendimet për blerje votash. Është regjistruar një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38.2%. Skena politike vazhdoi të shënohej nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar. “
Në progres raport qortohet edhe puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që është kthyer në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës.
“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”.
Komisioni Evropian tregon pakënaqësi edhe për punën e Kuvendit, duke përmendur edhe problemet e brendshme të PD.
“Aktiviteti parlamentar vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare”.
KE kërkon më shumë punë nga Shqipëria për përafrimin e ligjeve me Bashkimin Evropian, por edhe më shumë goditje kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë një numër dënimesh të nivelit të lartë dhe hetime financiare në nivel të lartë, sërish mbetet një fushë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”.
Duke përmendur edhe dënimet për dosjen e inceneratorëve, Komisioni Evropian kërkon më shumë vendime të kësaj natyre. Po ashtu si prioritet vlerësohet edhe Vettingu në drejtësi.