Një nismë e re që synon të lidhë shqiptarët në Britani me mundësi punësimi, arsimimi dhe zhvillimi biznesi do të mbledhë profesionistë, punëdhënës dhe organizata të komunitetit në Londër këtë nëntor.
Albanian Career & Business Summit UK 2026, organizuar nga Narrativa Shqiptare Ltd, do të zhvillohet të shtunën, më 21 nëntor, në Waterlow Hall, pranë shkollës South Hampstead High School.
Të lidhura
None found
Punësimi, arsimi dhe zhvillimi i biznesit do të jenë shtyllat kryesore të programit. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me oferta të mundshme pune, të aplikojnë për punë, të kontaktojnë punëdhënës dhe të informohen mbi rrugët e arsimimit të mëtejshëm, bursat dhe trajnimet profesionale.
Aktiviteti i drejtohet një audience të gjerë, nga të rinjtë që planifikojnë hapat e tyre të ardhshëm në arsimim e punësim, deri te profesionistët me përvojë që synojnë përparimin në karrierë dhe sipërmarrësit që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Samiti është konceptuar nga gazetarja Merjeme Tota, themeluese dhe drejtuese e Narrativa Shqiptare Ltd, në bashkëpunim me gazetaren shqiptare dhe bashkorganizatoren Beklie Koltraka.
Nisma mbështetet në përvojën në gazetari dhe komunikim, me synimin për ta zgjeruar rolin e medias komunitare përtej raportimit të ngjarjeve, duke ndihmuar njerëzit të zbulojnë burime të dobishme dhe mundësi për zhvillim.
Programi do të përfshijë profesionistë nga fusha e medias, marketingut, biznesit dhe arsimit. Moderatorja zyrtare e aktivitetit do të jetë gazetarja Isida Muço me më shumë se 15 vite përvojë në median shqiptare.
Isa Krasniqi, profesionisti i turizmit dhe sipërmarrjes, do të jetë folës në Albanian Career & Business Summit UK 2026.
Me përvojën e tij në fushën e turizmit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të biznesit, Krasniqi do të sjellë perspektivën e tij mbi zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare, krijimin e partneriteteve strategjike dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e tij synon të kontribuojë në diskutimet mbi potencialin e turizmit si një sektor me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve të biznesit mes Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe tregjeve ndërkombëtare.
Një tjetër nga folësit e njoftuar të samitit është Daniel Nikolla, MCIM CMktr, sipërmarrës britaniko-shqiptar, marketer i certifikuar dhe themelues i Merx Marketing Ltd, një konsulencë marketingu me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Juliana Shalla, përfaqësuese e JEI Education & Work Services, do t’i bashkohet Albanian Career & Business Summit UK 2026 në cilësinë e Partneres Zyrtare për Arsimin, duke sjellë në program një fokus të veçantë te edukimi dhe zhvillimi profesional.
Me bazë në Londër, JEI Education & Work Services në kuadër të bashkëpunimit, organizata do të identifikojë dhe prezantojë mundësi të konfirmuara në fusha të tilla si bursat, kurset, trajnimet, praktikat profesionale dhe punësimi me pagesë.
Organizatorët mirëpresin gjithashtu Ensuida Këputa, themeluese dhe drejtuese të Empowered Women of Diaspora (EWD), në rolin e këshilltares së samitit.
Organizata që ajo drejton punon në fusha që përfshijnë fuqizimin e grave, mbështetjen e të rinjve dhe studentëve, si dhe zhvillimin profesional dhe ekonomik.
Mbështetje për komunitetin përtej zhvillimit profesional
Përtej mundësive për punësim, arsimim dhe zhvillim profesional, samiti synon të krijojë ura lidhëse edhe për individët dhe familjet që kanë nevojë për mbështetje komunitare.
Në këtë kuadër, Narrativa Shqiptare Ltd ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Albanian Cultural Association Northamptonshire (ACA), organizatë bamirëse e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, e drejtuar nga Elona Latifi.
Në bazë të këtij bashkëpunimi, Narrativa Shqiptare Ltd do të mund të identifikojë individë dhe familje që kanë nevojë për mbështetje dhe, me pëlqimin e tyre, t’i referojë pranë ACA-së.
Organizata do të shqyrtojë në mënyrë të pavarur rrethanat dhe nevojat e secilit rast, duke vlerësuar kriteret e përfitimit dhe burimet e mbështetjes që ka në dispozicion.
Një paketë udhëtimi për Umre i shton samitit një dimension shpirtëror
Një nga kontributet e veçanta të Albanian Career & Business Summit UK 2026 është paketa e udhëtimit për Umre, e dhuruar nga Sahra24 Umra për një person për një nga pjesëmarrësit në këtë event. Paketa përfshin biletat e avionit vajtje-ardhje, vizën, akomodimin dhe transfertat lokale, sipas kushteve të ofruesit.
E themeluar në vitin 2020 nga Nazmi Kurti, me Isa Krasniqin si menaxher, Sahra24 Umra, është e specializuar në organizimin e udhëtimeve për Umre për pelegrinë nga Ballkani dhe mbajtës të pasaportave evropiane.
Shërbimet e saj përfshijnë organizimin e fluturimeve, akomodimin në Mekë dhe Medinë, transportin dhe udhëzimin gjatë pelegrinazhit.
Përmes këtij kontributi, Sahra24 Umra, mbështet nismën e samitit për t’iu përgjigjur interesave të ndryshme të komunitetit shqiptar, duke sjellë një mundësi me rëndësi të veçantë shpirtërore krahas fokusit të aktivitetit te punësimi, arsimi dhe zhvillimi profesional.
Për më shumë informacion mbi aktivitetin dhe rezervimin e biletave për të marrë pjesë në samit, vizitoni faqen zyrtare:





