Albana Vokshi: SPAK të hetojë sistemin e patronazhimit, votuesi i kontrolluar në çdo hap

Ditën e sotme, deputetja demokrate Albana Vokshi, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ka vënë theksin te rrjedhja e të dhënave dhe sistemi i patronazhimit, ndërsa kërkoi nga SPAK që të hetonte këtë fenomen.

Vokshi tha se rrjedhja e të dhënave personale të ndjeshme, përfshi edhe adresën për çdo votues, është një shqetësim që është ngritur nga organizmat ndërkombëtare.

Gjithashtu, Vokshi tha se nga ndërkombëtarët kërkohet që autoritetet të bëjnë ndërgjegjësimin për fenomenin e hershëm të blerjes së votave.

“Po çfarë ka bërë Edi Rama? Nuk ka marrë asnjë masë nga zgjedhjet e shkuara. Ai ka vënë në jetë skemën e patronazhimit. Vota edhe në zgjedhjet e 14 majit nuk ka qenë e lirë, nuk ka qenë sekrete dhe as e drejtpërdrejtë.

Votuesi është kontrolluar në çdo hap përmes patronazhistit, i cili nëse nuk ka arritur ta joshë ose blejë, e ka dhunuar.

I kam kërkuar SPAK që të hetojë patronazhimin, pasi të dhënat e qytetarëve janë në shtabet elektorale, madje duke i rifreskuar të dhënat nga E-Albania”, tha Vokshi.


Shtuar 30.05.2024 15:53