Alarmi për mjet shpërthyes në një diskotekë në Prishtinë, ku pritej të performonte Noizy – Policia jep detajet

Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes ka shkaktuar panik gjatë natës në një nga diskotekat e njohura të Prishtinës, ku ishte paralajmëruar një performancë e reperit të njohur shqiptar, Noizy.

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit të së mërkurës, kur Policia e Kosovës pranoi një informacion të dyshuar për prezencën e një mjeti shpërthyes në ambientet e lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Policia ka reaguar dhe ka dërguar në vendin e ngjarjes njësitë e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, përfshirë njësitin për deminim dhe njësinë K9 me qen gjurmues.

“Pas evakuimit si dhe kontrollit të plotë të hapësirave nga njësitë përkatëse, është konstatuar se nuk ka asnjë mjet shpërthyes dhe se informata ka qenë e rrejshme”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci po ashtu theksoi se rasti është referuar tek prokurori kompetent, dhe hetuesit policorë do të vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe burimin e informacionit.

Policia e Kosovës po ashtu falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që të shmangen përhapjet e informatave të pabazuara, pasi ato jo vetëm që krijojnë panik të panevojshëm, por edhe vënë në lëvizje pa arsye resurset shtetërore që mund të jenë të nevojshme në situata reale emergjente.


Shtuar 23.07.2025 14:12

Tags: ,