Alarm për lëndë shpërthyese në stacionin e autobusëve në Prishtinë, çfarë thotë policia

Një person ka telefonuar në Policinë e Kosovës, dhe ka deklaruar se ka vendosur një mjet shpërthyer në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që  janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti tha se pas kontrolleve të kryera nga policia, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, ka deklaruar Ahmeti./express