Alarm në Poliçan, kryebashkiaku kërkon përforcime, zjarri po shkon drejt Uzinës së Armëve

Një tjetër zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj te diele zonën përreth Uzinës së Armëve në Poliçan, hera e dytë kjo brenda pak ditësh.

Burime për mediat bëjnë me dije se situata paraqitet alarmante, ndërkohë që flakët janë duke u përhapur me shpejtësi, kjo falë erës dhe temperaturave të larta.

Në vendin e ngjarjes prej orësh ndodhen zjarrfikësit e Poliçanit, ndërkohë që në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe tre mjete dhe 15 zjarrfikës nga Berati, me qëllim për të neutralizuar sa më shpejt flakët të cilat po përhapen me shpejtësi drejt Uzinës, në afërsi të zonës B.

Mësohet se autoritetet kanë evakuuar të moshuarit në azil si dhe banorët e fshatit Plirezës.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj i cili i alarmuar dhe i shqetësuar ka kërkuar ndihmë dhe forca të tjera zjarrfikëse për të shuar zjarrin i cili prej orësh po tregohet i pamëshirshëm dhe po djeg çfarë po i del para.

Sakaq, shkaku i zjarrit është ende i paqartë dhe po hetohet nga autoritetet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për shkëndija aksidentale apo zjarrvënie të qëllimshme.


Shtuar 10.08.2025 19:25

Tags: ,