Alarm në Britani, “zhduken” 200 emigrantë të mitur, pjesa më e madhe shqiptarë

Dyqind emigrantë të mitur të pashoqëruar, të cilët qëndronin në hotelet britanike, janë zhdukur, njoftoi të martën qeveria britanike, e akuzuar nga opozita për “braktisjen e fëmijëve”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për këtë çështje në Parlament, Nënsekretari i Shtetit për Emigracionin Robert Jenrick tha se që nga korriku 2021, 4600 të mitur të pashoqëruar janë akomoduar në hotele, në një kohë kur numri rekord i atyre që kalojnë Kanalin me varka të vogla ( ishte 45,000 në 2022) po e vë nën presion sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Jenrick, janë raportuar 440 “zhdukje” dhe 200 prej tyre ende nuk janë gjetur. 13 ishin nën moshën 16 vjeç, ndërsa vetëm një është vajzë.

88% e të zhdukurve janë shqiptarë. Pjesa tjetër vjen nga Afganistani, Egjipti, India, Vietnami, Pakistani dhe Turqia.

“Kur një fëmijë zhduket, vendoset një protokoll që policia dhe autoritetet lokale të përcaktojnë vendndodhjen e tyre dhe të garantojnë sigurinë e tyre”, vazhdoi ministri, duke shpjeguar se të miturit nuk mbahen në hotele dhe janë të lirë të largohen kur të duan ata.

Deputetja Carolyn Lucas, e cila kishte ngritur pyetjen, e quajti të tmerrshme faktin që Ministria e Brendshme po “braktiste fëmijët e cenueshëm”.

Sipas deputetit konservator, Tim Lawton, nuk ka pasur raportime në policinë e Sussex-it për fëmijët që janë rrëmbyer nga bandat. Të dielën, gazeta Observer raportoi për rrëmbimet e fëmijëve që qëndronin në një hotel në qytetin bregdetar të Brighton, duke cituar një dëshmitar me interes publik që punon për një furnizues të Home Office. Gazeta citoi gjithashtu burime në shërbimet e mbrojtjes së të miturve.

Megjithatë, burime të tjera të ministrisë së brendshme i thanë gazetës se “nuk ishte e vërtetë” që të miturit e pashoqëruar u rrëmbyen nga hotelet e tyre. /albeu.com


Shtuar 24.01.2023 18:11